UBT News

Evakuime në Zelandën e Re si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm

Shirat e rrëmbyeshëm që kanë goditur pjesë të Zelandës së Re për të katërtën ditë me radhë, kanë detyruar qindra persona të largohen nga shtëpitë e tyre pas daljes së lumenjve nga shtretërit e tyre.

Nelson, që gjendet në brigjet e Ishullit të Jugut, është goditur më së rëndi nga moti i keq dhe mbi 400 persona janë evakuuar, pasi kjo hapësirë është shpallur e pabanueshme për shkak të kushteve atmosferike.

“Shkatërrimet që pash në Nelson ishin të tmerrshme dhe mendoj se do të duhen vite që kjo pjesë të rimëkëmbet”, tha Alec Louverdis, koordinator i ekipit për Mbrojtje Civile në Nelson.

Ai tha se në këtë zonë ka rrëshqitje të mëdha të dheut.

Meteorologët thanë se Nelson është përballur me 172 milimetra shi që prej të martës, që është dyfishi i mesatares së reshjeve të shiut që rëndom bien në gusht. Po ashtu, edhe të shtunën, më 20 gusht, Nelson pritet të përballet me stuhi shiu.

Banorët e Nelsonit janë udhëzuar që të kursejnë ujin për shkak të problemeve që janë shfaqur në sistemin e ujësjellësit të qytetit.

Shërbimet e mbrojtjes civile kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg bregdetit, për shkak se në disa plazhe valët e detit po arrijnë në lartësi deri në 3 metra.

Forcat e Mbrojtjes së Zelandës së Re po ndihmojnë në evakuime dhe në parandalimin e vërshimeve.

Zelanda e Re për javë të tëra është përballur me mot të paqëndrueshëm. Ekspertët thonë se stuhitë e shiut janë shkaktuar nga një rrymë atmosferike që ka goditur vendin.

Shirat e rrëmbyeshëm po ashtu kanë goditur Ishullin Verior të Zelandës së Re gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë që disa qytete të mbesin pa energji elektrike dhe duke përmbytur disa shtëpi. Edhe nga ky ishull po evakuohen banorët.

Mot me shi në Zelandën e Re parashikohet që të mbretërojë deri në orët e vona të së premtes.

Exit mobile version