Provinca perëndimore kanadeze e Manitobës ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve të mëdha dhe më shumë se 17,000 njerëzve u është urdhëruar të evakuohen, thanë autoritetet.
Kryeministri i Manitobës, Wab Keenu, tha se ky ishte evakuimi më i madh në historinë moderne të provincës dhe se kërkoi ndihmën e autoriteteve federale dhe ushtrisë kanadeze për zhvendosjen e popullsisë dhe shuarjen e zjarrit, shkruan Guardian.
“Për herë të parë, kemi zjarre në të gjitha rajonet. Është një shenjë e ndryshimeve klimatike ndaj të cilave do të duhet të përshtatemi”, paralajmëroi kryeministri.
Situata më kritike është në qytetin e vogël të Flin Flon, ku 5,000 banorë janë thirrur për t’u përgatitur për evakuim emergjent për shkak të afrimit të një zjarri të madh.
Flakët arritën një lartësi prej më shumë se 35 metrash në disa pjesë të zonës, dhe për shkak të tymit të dendur dhe përhapjes së shpejtë të zjarrit, zjarrfikësve iu bë e vështirë ta shuanin atë.
Evakuimet përfshinë edhe komunitete indigjene të largëta, dhe numri më i madh i personave të zhvendosur do të strehohen në kryeqytetin provincial, Winnipeg.
Aktualisht ka 22 zjarre aktive në provincë, ndërsa 134 janë regjistruar në të gjithë Kanadanë, gjysma e të cilave janë jashtë kontrollit.