Zyra e Statistikave të Bashkimit Evropian (BE), Eurostat, ka raportuar se shkalla e papunësisë në Eurozonë u rrit në 6.5 për qind gjatë muajit qershor, duke shënuar një rritje krahasuar me 6.4 për qind në maj.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, numri i të papunëve në Eurozonë u rrit me 41 mijë persona, duke arritur në 11.12 milionë qytetarë të papunë.
Papunësia e përgjithshme në BE, e cila përfshin edhe vendet që nuk përdorin monedhën e përbashkët euro, mbeti e qëndrueshme në 6 për qind gjatë muajit qershor.
Në total, 13.26 milionë qytetarë në BE ishin të papunë në qershor, duke reflektuar një rritje prej 52 mijë personash nga muaji maj.
Sa i përket të rinjve, 2.83 milionë persona nën moshën 25 vjeç ishin të papunë në BE, përfshirë 2.27 milionë në Eurozonë. Ndërkohë, shkalla e papunësisë për këtë grupmoshë u ul në 14.1 për qind në zonën e euros dhe 14.4 për qind në BE./UBTNews/