UBT News

Europolit i thuhet të fshijë informacionet për individë të pafajshëm

Europoli është urdhëruar të fshijë çdo informacion në lidhje me individët që nuk janë shpallur fajtorë për asnjë krim, transmeton UBT News.

Një hetim zbuloi se agjencia policore e BE-së kishte mbledhur dhe ruajtur të dhëna për qytetarë të pafajshëm.

Europolit iu tha të fshinte çdo të dhënë që nuk përputhej me masat mbrojtëse për kohëzgjatjen e ruajtjes së informacionit të ndjeshëm, ku të dhënat mund të ruhen vetëm për gjashtë muaj nëse nuk mund të provohet asnjë aktivitet kriminal.

Mbikëqyrësi Evropian i Mbrojtjes së të Dhënave (EDPS) tha se Europoli u njoftua për urdhrin më 3 janar pas një hetimi të vitit 2019.

EDPS tha se e kritikoi ashpër Europolin dy vjet më parë “për ruajtjen e vazhdueshme të vëllimeve të mëdha” të të dhënave të tilla që “paraqesin rrezik për të drejtat themelore të individëve”.

Sipas EDPS, Europoli ka futur që atëherë disa masa, por se nuk është pajtuar me kërkesat për të vendosur një periudhë të përshtatshme të ruajtjes së të dhënave.

“Kjo do të thotë se Europoli i mbante këto të dhëna për më gjatë se sa duhej”, tha EDPS.

Agjencia e policisë ka tani 12 muaj për të hequr të dhënat që nuk janë shkatërruar deri më 3 janar./UBTNews/

Exit mobile version