Avokati i një prej anëtarëve të arrestuar të Parlamentit Evropian tha se klientja e tij ishte “e pafajshme” pasi ajo u akuzua për korrupsion në një hetim për ryshfet e dyshuara nga Katari.
Belgjika ka akuzuar katër të dyshuar, përfshirë një nga nënkryetaret e parlamentit, socialisten greke Eva Kaili, si pjesë e një hetimi mbi dyshimet se vendi i Gjirit u ka dhënë para dhe dhurata për të ndikuar në debatin e politikave të BE-së, akuza të cilat Doha i mohon.
Dy të tjerë u lanë të lirë pas marrjes në pyetje.
“Pozicioni i saj është se ajo është e pafajshme. Ajo nuk ka të bëjë fare me ryshfetet e Katarit”, tha avokati i Kailit, Michalis Dimitrakopoulos për Open TV.
Janë kryer kontrolle në shtëpitë e eurodeputetëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Belgjikë dhe rreth një milion euro para janë gjetur.
Prokurorët belgë thanë se 600,000 euro u gjetën në shtëpinë e një të dyshuari, 150,000 euro në banesën e një eurodeputeti dhe disa qindra mijëra euro në një valixhe në një dhomë hoteli.
I pyetur nëse u gjet ndonjë para në shtëpinë e Kailit, Dimitrakopoulos tha, “Unë nuk po konfirmoj apo mohoj. Ka konfidencialitet. Nuk kam asnjë ide nëse janë gjetur para apo sa janë gjetur”.
Kaili u ndalua të premten në Bruksel.
Skandali ka shpërthyer gjatë Kupës së Botës të Futbollit 2022, një ngjarje që Katari kishte shpresuar se do të rriste reputacionin e tij, por që është goditur nga akuzat për keqtrajtim të punëtorëve migrantë që ndërtuan stadiumet e reja të mikpritësit.
Kaili vizitoi Katarin pak përpara Kupës së Botës dhe e vlerësoi vendin si një “pararojë në të drejtat e punës”, një ndjenjë që ajo e ka përsëritur në foltoren e parlamentit.
Ajo mori një goditje të re ligjore të hënën, kur autoritetet greke ngrinë pasuritë e saj dhe të afërmve të saj.
Monarkia e Gjirit ka mohuar çdo përfshirje./UBTNews/