Euro ka rënë këtë javë në nivelin më të ulët historik kundrejt lekut shqiptar, duke u këmbyer me vetëm 93.62 lekë. Në teori, një lek më i fortë do të duhej të ulte çmimet e mallrave të importuara dhe të rriste fuqinë blerëse të qytetarëve, por në praktikë çmimet e ushqimeve në Shqipëri mbeten ndër më të lartat në rajon, ndërsa eksportuesit po përballen me humbje të konkurrueshmërisë.
Qeveria e shpjegon forcimin e lekut me rritjen e të ardhurave nga turizmi, investimet e huaja dhe remitencat. Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar këtë si një tregues të rritjes së ekonomisë, duke theksuar se hyrja e valutës në vend është rezultat i zhvillimeve të ligjshme.
Në anën tjetër, opozita pretendon se mbiçmimi i lekut nuk mund të shpjegohet vetëm me këta faktorë dhe ngre dyshime se kursi i këmbimit ndikohet edhe nga ekonomia informale dhe paratë me origjinë kriminale, ndonëse nuk ka paraqitur prova konkrete.
Edhe ekonomistët mendojnë se shifrat zyrtare nuk e shpjegojnë plotësisht forcimin e lekut. Ish-zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, vlerëson se një pjesë e konsiderueshme e mbiçmimit mbetet e pashpjeguar nga turizmi, investimet dhe remitencat, ndërsa ekonomisti Pano Soko argumenton se bilanci tregtar dhe investimet e huaja nuk justifikojnë kursin aktual të këmbimit.
Sipas ekspertëve, paradoksi më i madh është se forcimi i lekut nuk është reflektuar në uljen e çmimeve. Një studim i fundit tregon se çmimet e ushqimeve në Shqipëri kanë arritur në nivelin mesatar të Bashkimit Evropian, edhe pse të ardhurat e qytetarëve mbeten dukshëm më të ulëta.
Ndërkohë, ndër më të goditurit nga zhvlerësimi i euros janë eksportuesit dhe sektori i turizmit, pasi të ardhurat i sigurojnë në euro, ndërsa shumicën e shpenzimeve i kryejnë në lekë. Nga ana tjetër, përfitojnë importuesit, qytetarët me kredi në euro dhe shteti, i cili e shlyen më lirë pjesën e borxhit publik të marrë në valutën evropiane.
/RadioEvropaeLire//D.L/
