UBT News

EULEX: Po monitorojmë situatën në veri përmes pranisë së shtuar në terren

Misioni i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, sot ka bërë të ditur se është duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të vendit, përmes pranisë së tyre të shtuar në terren.

EULEX ka potencuar se është duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën e veriut dhe në Zveçan.

“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, është bërë e ditur në njoftimin.

Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e 13 ditë vazhdojnë të qëndrojnë duke vështirësuar jetën e qytetarëve në atë pjesë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që do të mbahet sot në Rudare të komunës së Zveçanit.

Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Sipas tyre, Kurti ka bërë thirrje për vrasjen e serbëve në barrikada dhe zhdukjen e tyre, ndërsa ambasadori gjerman me deklaratat e tij po e mbështetë drejtpërdrejt dhe hapur kryeministrin Kurti.

Exit mobile version