UBT News

Etiopia zotohet të pushtojë aeroportet dhe objektet e tjera në Tigray

Qeveria e Etiopisë u zotua të hënën të marrë kontrollin e aeroporteve dhe objekteve të tjera federale në Tigray të shkatërruar nga lufta, kjo pak pasi Bashkimi Afrikan bëri thirrje për një armëpushim të konfliktit.

Autoritetet në Tigray thanë të dielën se ishin “gati për t’iu përmbajtur një ndërprerjeje të menjëhershme të armiqësive” dhe i kërkuan komunitetit ndërkombëtar që të shtyjë qeverinë për të ardhur në tryezë.

Addis Ababa tha në një deklaratë të hënën se ishte “e angazhuar për zgjidhjen paqësore të konfliktit nëpërmjet bisedimeve të paqes të udhëhequra nga AU”.

Por Ababa tha se do ta ndiqte këtë së bashku me “masat mbrojtëse” për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Etiopisë nga kërcënimet e brendshme dhe të jashtme.

“Kështu është e domosdoshme që qeveria e Etiopisë të marrë kontrollin e menjëhershëm të të gjitha aeroporteve, objekteve të tjera federale dhe instalimeve në rajon”, thuhet në deklaratën e Shërbimit të Komunikimit të Qeverisë.

Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e tjera perëndimore kanë shprehur alarmin për përkeqësimin e dhunës në Tigray dhe kanë bërë thirrje për një zgjidhje paqësore të “këtij konflikti katastrofik”./UBTNews/

Exit mobile version