Shefi i Kombeve të Bashkuara, Mark Lowcock thotë se Etiopia veriore vuan nga kriza e urisë, pas një analize të lëshuar nga Kombet e Bashkuara lidhur me situatën.
“Vendi po vuan nga uria. Kjo situatë do të përkeqësohet”, deklaroi ai.
Sipas këtij studimi, 350 mijë persona janë duke jetuar në “krizë të thellë” në rajonin Tigray, rajon ky i shkatërruar nga lufta.
Tigray është shkatërruar nga luftimet midis forcave qeveritare dhe rebelëve, me 1.7 milion njerëz të zhvendosur që nga fillimi i luftimeve në nëntor të vitit 2020.
Sipas vlerësimit, situata e urisë në rajon ka arritur nivelin e një “katastrofe”.
Programi Botëror i Ushqimit (WFP), Organizata e Ushqimit dhe Agrikulturës dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), kanë bërë thirrje për veprim urgjent për ta adresuar krizën.
“Vdekja po troket në dyert tona”
Njerëzit në Qafta Humera, një rreth i izoluar në perëndim të Tigray, i thanë BBC-së këtë javë se ishin në prag të urisë.
“Ne nuk kemi asgjë për të ngrënë”, tha një burrë përmes telefonit, teksa tregoi se të korrat dhe bagëtitë e tyre u vodhën gjatë shtatë muajve të luftës.
“Deri tani kemi ngrënë mbetje të të korrave që i kemi fshehur, por tani s’kemi asgjë”, tha një fermer.
“Askush s’na ka ndihmuar. Pothuajse të gjithë janë buzë vdekjes – situata është e rrezikshme. Vdekja po troket në dyert tona. Mund ta kuptoni se po vuajmë nga uria në bazë të fytyrave tona”, deklaroi ai.
Banorët thanë se kanë parë automjete teksa po transportonin ndihma, por askush nuk ishte interesuar për gjendjen e tyre të vështirë.
Në vitin 1984, Tigray dhe krahina fqinje, Wollo, ishin epiqendra e krizës së urisë që u shkaktua nga thatësira dhe lufta, që çoi në vdekjen e afro 1 milion njerëzve./UBTNews