Qeveria e Etiopisë tha të mërkurën se ka pranuar një ftesë nga Bashkimi Afrikan për të zhvilluar bisedime paqeje me rebelët e rajonit Tigray pas pothuajse dy vjetësh lufte brutale në veri të vendit.
Këshilltari për siguri kombëtare i kryeministrit Abiy Ahmed, Redwan Hussein shkroi në Twitter se qeveria “e pranoi këtë ftesë e cila është në përputhje me qëndrimin tonë parimor në lidhje me zgjidhjen paqësore të konfliktit dhe nevojën për të pasur bisedime pa parakushte”.
Shërbimi i Komunikimit të Qeverisë tha në një deklaratë se Bashkimi Afrikan ka caktuar “si datën ashtu edhe vendin” për bisedime, por nuk dha detaje.
Zëdhënësja e Bashkimit Afrikan, Ebba Kalondo nuk pranoi të japë detaje se kur dhe ku do të zhvillohen bisedimet, duke i thënë AFP-së: “Ne do të ofrojmë detaje sipas rastit dhe kur është e nevojshme”, duke shtuar se procesi është “në rrugën e duhur”.
Rajoni prej gjashtë milionë banorësh është përballur me mungesë ushqimi, karburantesh, ilaçesh dhe furnizime të tjera emergjente. Programi Botëror i Ushqimit të OKB-së paralajmëroi për kequshqyerjen në rritje.
Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi të hënën se i dërguari special Hammer do të udhëtojë në Keni, Afrikë të Jugut dhe Etiopi këtë muaj./UBTNews/