UBT News

“Është koha për një kapitull të ri”, Angelina Jolie gati të largohet nga SHBA-ja

Ylli i Hollivudit, Angelina Jolie, po përgatitet për një kapitull të ri në jetën e saj — larg Shteteve të Bashkuara. Aktorja ka shprehur prej kohësh dëshirën për t’u vendosur jashtë vendit, dhe duket se momenti po afrohet.

Që në 2019, Jolie kishte deklaruar për Harper’s Bazaar se jetonte në Los Angeles për shkak të fëmijëve, që duhej të ishin pranë babait, Brad Pitt. Dyshja, që u divorcuan më 2016, kanë gjashtë fëmijë: Maddox (24), Pax (21), Zahara (20), Shiloh (19) e binjakët Knox e Vivienne (17).

“Do të doja të jetoja jashtë vendit dhe do ta bëj sapo fëmijët e mi të mbushin 18 vjeç”, kishte thënë ajo asokohe.

Sipas Us Weekly, Jolie po i qëndron besnike këtij premtimi dhe planifikon të shpërngulet sapo binjakët të mbushin moshën madhore, në korrik të ardhshëm. Burime pranë aktores 50-vjeçare thonë se ajo po përjeton një periudhë më të qetë pas viteve të vështira të divorcit.

“Kohët e fundit, duket më e paqtë dhe e lirë. E do Los Angelesin, por ndien se e ka mbyllur atë kapitull. Tani është gati për diçka të re,” – u shpreh një mik i saj. Jolie ka lidhje të forta me disa vende jashtë SHBA-së, mes tyre Kamboxhia (ku zotëron prona dhe adoptoi Maddox në vitin 2002), Franca (ku lindën binjakët në Nicë) dhe Afrika, prej nga vjen Zahara dhe ku lindi Shiloh.

“Janë vende me domethënie të veçantë për të. Ajo ka miq e lidhje të ngushta në secilin vend,” – tha burimi.

Në një intervistë në Festivalin e Filmit në San Sebastian vitin e kaluar, Jolie e përshkroi veten si “njeri me jetë ndërkombëtare”.

Aktualisht ndodhet në Londër, ku po xhiron filmin e ri të Netflix, “Anxious People”, me djalin Maddox që punon si asistent regjisor. Ajo synon të vazhdojë karrierën si regjisore dhe producente jashtë Amerikës.

“Angelina do të vijë në Los Angeles për punë, por nuk do ta quajë më shtëpi,” – sqaroi një tjetër burim, duke shtuar se planifikon të shesë rezidencën e saj luksoze në Los Feliz me vlerë 24.5 milionë dollarë në shtatorin e ardhshëm.

Ndërkohë, angazhimi i saj humanitar mbetet prioritet. Jolie ka qenë pjesë e OKB-së për më shumë se dy dekada, fillimisht si Ambasadore e Vullnetit të Mirë dhe më pas si e Dërguar Speciale.

Ajo do të vazhdojë projektet në Kamboxhia, Vietnam dhe Afrikë, duke ndihmuar komunitetet lokale e duke promovuar kauza sociale. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version