UBT News

Është aprovuar nga senati amerikan projektligji për ndalimin ose shitjen e TikTok-ut

Senati amerikan e ka kaluar këtë të marte një projektligj i cili do të ndalojë TikTok-un në SHBA nëse pronari i saj, firma kineze ByteDance, nuk e shet brenda një viti.

Si pasojë e shqetësimeve të mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e qytetarëve amerikanë apo dhe t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni, projektligji u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të shtunën dhe presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do ta nënshkruajë atë të mërkurën, për ta bërë ligj.

“Për shumë vite ne e kemi lejuar partinë komuniste të Kinës të ketë kontroll mbi njërin prej aplikacioneve më të njohura në Amerikë”, tha republikani Marco Rubio nga Komiteti i Inteligjencës.

“Ligji i ri do t’i kërkojë pronarit kinez ta shesë aplikacionin. Ky është vendim i mirë për Amerikën”, shtoi ai.

Beteja katërvjeçare për TikTok-un, i cili përdoret nga 170 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara, është vetëm njëri prej shumë fronteve në luftën e internetit dhe teknologjisë mes Uashingtonit dhe Pekini.

Apple tha se Pekini ka urdhëruar t’i largonte platformat e Meta-s, WhatsApp dhe Threads, nga dyqani i saj i aplikacioneve në Kinë, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.

Ndërsa TikTok pritet ta sfidojë këtë projektligj përmes Amendamentit të Parë, dhe përdoruesit e TikTok-ut pritet të ndërmarrin veprime ligjore gjithashtu. Një gjykatës në Montana e parandaloi ndalimin e TikTok-ut në këtë shtet, duke u thirrur në lirinë e shprehjes.

Megjithatë dhe në vitin 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u përpoq ta ndalojë platformën e rrjetit social përmes një urdhri ekzekutiv. Ai urdhër u shfuqizua më vonë nga gjykatat, pas padisë nga TikTok.

Administrata Trump ndërmjetësoi gjithashtu një marrëveshje më 2020, sipas të cilës korporatat amerikane Oracle dhe Walmart, do të siguronin aksione të mëdha në TikTok mbi baza të sigurisë kombëtare. Por, shitja e aksioneve nuk ndodhi asnjëherë për një numër arsyesh, ndër to Kina, e cila vendosi kontrolle më të rrepta të eksportit për ofruesit e vet të teknologjisë./UBTNews/

Exit mobile version