Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë se nuk është qëllimi i tyre të imponojnë modele për krijimin e Asociacionit të komunave serbe që dëmtojnë sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës.
Në përfundim të qëndrimit të tij në Kosovë, Escobar e rikonfirmoi mbështetjen për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Ajo çfarë kam thënë kur kam thënë se ka shumë opsione për krijimin e Asociacionit ka qenë për të thënë se nuk është e thënë të jenë modelet që dëmtojnë sovranitetin, apo funksionalitetin e Kosovës. Duhet të gjendet një prej këtyre modaliteteve, ato mund të gjinden të negociohen dhe të arrihet pajtimi për to. Ky është qëllimi i dialogut, nuk është qëllimi i ShBA-së të imponojë një model apo të zgjedh një model në emër të të dy palëve. Por, ne mund të ndihmojmë, nëse ka modele që ata mund t’i analizojnë ne me kënaqësi mund të bëjmë atë”, tha ai në një konferencë të përbashkët për medie me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Megjithatë, Escobar tha se zgjidhja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet t’i lihet dialogut.
“Kjo administratë, bashkë me administratat e mëhershme të ShBA-së, mbështet fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Përtej kësaj, se si dy vendet, Serbia dhe Kosova arrijnë në një periudhë të normalizimit duhet t’i lihet dialogut… Në fund të këtij procesi shpresojmë që rezultat do të jetë një zgjidhje e cila do të jetë e mirë si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën. Kam besim se nga mënyra si po duket dhe përkushtimi i partnerëve tanë evropian, bashkë me mbështetjen amerikane për këtë proces do të arrijmë atje”, shtoi ai.
I pyetur për marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në shtator të vitit 2020, Escobar tha se të njëjtat e kanë ndihmuar krijimin e besimit mes palëve.
“Sa i përket zotimeve të Uashingtonit, ne kemi besuar atëherë dhe ende besojmë se ato zotime kanë ndihmuar për të krijuar një besim mes palëve. Ne besojmë se aplikimi i vazhdueshëm i këtyre zotimeve është mënyrë për të krijuar një hapësirë diplomatike për vazhdimin e dialogut. Ne i shohim ato zotime si masa për ndërtimin e besimit në mbështetje të dialogut të udhëhequr nga BE-ja”, theksoi ai.
Pas përfundimit të vizitës në Kosovë, Escobar bashkë me Lajçak do të qëndrojnë në Serbi.