I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se është e mundur që brenda këtij vitit të arrihet marrëveshja përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, për takimin e 18 marsit në Ohër ai pret që të dyja palët të jetë konstruktive dhe fleksibile.
Emisari amerikan, Escobar këto komente i bëri gjatë një konference për media gjatë qëndrimit të tij në Beograd, vizitë kjo e cila po ndodh dy ditë para raundit të ri të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë i cili do të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Sipas tij kjo marrëveshje nuk është diçka nga e cila duhet pasur frikë.
“Do të doja marrëveshjen këtë vit. Këtë vit kalendarik. Po, mendoj se është plotësisht e mundur… Kjo marrëveshje nuk është diçka nga e cila duhet pasur frikë. Shpresa jonë është që kjo të mos ndryshojë rrënjësisht jetën e askujt, por të sigurojë njëfarë niveli stabiliteti dhe paqeje midis njerëzve të rajonit. Nuk është qëllimi ynë të krijojmë barriera të reja, përkundrazi, ne duam që kjo marrëveshje të funksionojë, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por sepse Kosova dhe Serbia janë zemra e Ballkanit Perëndimor, kjo do të krijonte mundësi edhe për fqinjët tuaj. Ata gjithashtu duan të shohin një marrëdhënie të mirë mes Kosovës dhe Serbisë, edhe ata kanë nevojë për të”, u shpreh Escobar.
Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, zëvendësndihmës sekretari Gabriel Escobar u shpreh se propozimi evropian paraqet mundësitë më të mira për rajonin për të ecur përpara.
Ai u shpreh se në takimin e 18 marsit duan që pala kosovare dhe ajo serbe të jenë konstruktive dhe fleksibile për shqyrtimin e mundësive që paraqet marrëveshja e dakorduar në Bruksel.
“Ne mendojmë se kjo marrëveshje paraqet një nga mundësitë më të mira për rajonin për të ecur përpara në krijimin e kushteve paqësore për të gjithë njerëzit e rajonit, dhe ne duam që të dyja palët të jenë shumë serioze në shqyrtimin e mundësive, dhe duke kërkuar mënyra për të qenë fleksibël, konstruktiv dhe vizionar për të përfituar nga kjo mundësi që po paraqitet dhe jo vetëm nga Evropa, por nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Komuniteti transatlantik në tërësi”, tha ai.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor u shpreh po ashtu se propozimi evropian është një marrëveshje për normalizim e jo për njohje.
Megjithatë, ai shprehur qëndrimin e SHBA-ve se Kosova është një vend i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet.
“Pritshmëria jonë është që do të kemi një mirëkuptim mes dy liderëve për të punuar për ta bërë realitet këtë marrëveshje për normalizimin. Me fjalë të tjera, të mendosh për të gjitha pengesat, të gjesh mënyra përtej pengesave dhe të dalësh nga takimi me mirëkuptimin se ata do të vazhdojnë të punojnë derisa t’ia dalin siç duhet. Për sa i përket Kombeve të Bashkuara, ne jemi më pak të fokusuar. Kjo është një marrëveshje për normalizimin dhe jo njohjen. Do të jem shumë i sinqertë, qëndrimi amerikan është se Kosova është një vend i pavarur me integritet territorial dhe sovranitet dhe ne besojmë se rajoni do të përfitonte nga njohja reciproke, kjo nuk ka të bëjë me këtë. Për sa i përket Kombeve të Bashkuara, mendoj se kjo është dytësore ndaj përfitimeve reale të kësaj marrëveshjeje normalizimi, e cila është një integrim më i madh dhe më i shpejtë evropian, jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por për rajonin në tërësi”, u shpreh Escobar.
Sa i takon çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Escobar u shpreh se formimi i Asociacionit është më afër sesa ishte disa javë më parë.
Sipas tij tani Asociacioni do të ndodh pavarësisht se a do të ketë marrëveshje të re apo jo, por thekson se çështja është se sa shpejt do të ndodh.
Kurse, për 15 propozimet e ofruara nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, emisari amerikan thotë se do të donim që një nga ato modele të ishte shabllon për përdorimin lidhur me asociacionin.
“Mund të them se po, mund të them se diskutimet tona me qeverinë e Kosovës kanë qenë gjithnjë e më produktive dhe realiste, sepse ata pranojnë se ky detyrim ligjërisht i detyrueshëm do të vazhdojë të ekzistojë në çdo mënyrë apo formë marrëveshjeje që do t’i afronte më shumë drejt Evropës. Kështu që shpresoj se jemi shumë më afër se sa ishim disa javë më parë… Mendoj se ajo që do të donim në Ohër është një njohje se asociacioni është një pjesë e rëndësishme e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dhe kur flas për këtë si kërkesë, nuk dua të jem konfrontues apo të nxjerrë një lloj sfide, është fakt që asociacioni ekziston në marrëveshjen e Brukselit, ekziston në këtë marrëveshje, është pjesë e konkluzioneve të këshillit evropian, është politika e Shteteve të Bashkuara, kështu që do të ndodhë, pyetja është se sa shpejt do të ndodhë”, theksoi ai.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar nga Beografi ka thënë se nuk pret në Ohër që të ketë ndonjë nënshkrim, por pret bisedime e përparim në dialog.
Ai thotë se dakordimi për propozimin evropian është i nevojshëm sidomos për serbët në Kosovë.
Ndërsa, ka refuzuar të ndalet në aspektet negative në rast se nuk ndodh arritja për marrëveshjen e dakorduar më 27 shkurt në Bruksel.
“Duhet të kemi parasysh se një pjesë e asaj që do të bëjë kjo do të forcojë pozitën e serbëve në Kosovë, përmes zbatimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe, kjo është një arsye tjetër pse e dëshirojmë këtë marrëveshje. Pra, kjo është një gjë që Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe ne shpresojmë që të dyja palët ta kuptojnë është se kjo është një mundësi vërtet e mirë. Çfarë ndodh në rast se nuk kemi një mirëkuptim, nëse nuk kemi një marrëveshje, dhe me marrëveshje nënkuptoj kuptimin e gjerë të rrugës përpara, nuk pres domosdoshmërisht që të kemi një nënshkrim në njëfarë mënyre, por ne do të kemi një rrugë përpara. Nuk dua të ndalem në aspektet negative nëse nuk ndodh, dua të ndalem në mundësitë nëse fillojmë të ecim në atë rrugë, dhe mundësitë do të jenë jashtëzakonisht të dobishme për rajonin”, u shpreh Escobar.
I dërguar Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar u shpreh nga propozimi evropian përmirëson dhe investimet ekonomike për të dyja vendet dhe rajonin.
Nga konferenca në Beograd, Escobar u shpreh se në zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit në katër komunat në veri të Kosovës dëshirojnë të shohin pjesëmarrje të plotë të serbëve.
I dërguar Special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë qëndrimit të tij në Beograd është takuar me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçiq.
Kjo vizitë e Escobar në Beograd po ndodh 2 ditë para takimit të 18 marsit në Ohër ku pritet të takohen pala kosovar dhe ajo serbe.
Në këtë takim pritet të diskutohet për planin e zbatimit të propozimit evropian.
Për këtë propozim evropian kundërshtime kanë shprehur dy partitë më të mëdha opozitare në vend PDK dhe LDK.
Ndërsa, ditë më parë Kosovën dhe Serbinë e ka vizituar edhe i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak.