Raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe “nuk do të ndryshojnë”, por Uashingtoni ka “ disa sfida” në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Kështu tha gjatë një takimi me gazetarë në ambasadën amerikane në Prishtinë i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.
Sipas zyrtarit amerikan, pavarësisht sfidave në raportet me kryeministrin Kurti, ai tha se “shpresojmë që njerëzit ta kuptojnë se vështirësitë tona të tanishme që kemi me kryeministrin, nuk do të prekin këtë sentiment”.
Zyrtari i lartë amerikan tha se pavarësisht se ShBA-ja qëndron pas Kosovës, moskoordinimi me ta për çështjen e kryetarëve të rinj të komunave në veri, do të ketë pasoja për Prishtinën.
“Ne kemi thënë që të mos ndizen situatat veçse delikate dhe kishte këmbëngulje duke përdorur forcën për të futur kryetarët e rinj në ndërtesa. Jam në Qeverinë amerikane që kur kam qenë 19 vjeç, kam parë shumë Qeveri amerikane që janë larguar nga ndërtesat për shkak të vërshimeve, zjarreve, uraganeve, COVID-it, por edhe protestave dhe nuk kam parë që dikush ka vënë në pikëpyetje autoritetin e Qeverisë amerikane. Prandaj, pse këto ndërtesa, pse nën këto kushte, pse pasi ne kemi kërkuar nga ta për koordinim, edhe pse ne qëndrojmë pas tyre ata nuk pranojnë të koordinohen. Kjo na lë ne të kuptojmë se si na shohin ata ne si partner dhe kjo duhet të ketë pasoja”, theksoi Escobar.
Escobar tha se ShBA-ja është e përkushtuar për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik.
“Do të jem shumë i sinqertë, ShBA-ja ka qenë mbështetësja juaj më e madhe dhe më dhemb të shoh që njerëzit mendojnë se disi ne po e drejtojmë raportin dhe angazhimin tonë me Kosovën për përfitim të Serbisë”, tha Escobar.
“Dua t’ua rikujtoj njerëzve: Serbia ishte kundër pavarësisë suaj më 2008 dhe ne vazhduam përpara, ata për vite të tëra ishin kundër fushatës sonë për njohje dhe ne vazhduam përpara, ishin kundër zgjedhjeve dhe ne i pamë ato s’i legjitime”, shtoi ai.
Escobar, së bashku me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë nisur vizitën në Kosovë të hënën dhe kanë zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ndërkaq, të martën ata janë takuar edhe me presidenten, Vjosa Osmani, dhe me krerët e partive opozitare. Më pas ata do të takohen ehde me krerët shtetërorë në Beograd.
Zyrtarët amerikanë dhe evropianë i paraqitën Kurtit tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar: qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri dhe kthimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.
Dy zyrtarët po vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin, me synimin që të gjejnë një zgjidhje për qetësimin e situatës në tri komuna në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Në këto komuna, që nga 29 maji, serbët lokalë po protestojnë rregullisht për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – të cilët fituan zgjedhjet e bojkotuara nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë.