UBT News

Erërat e fuqishme shkaktojnë dëme në disa komuna të Kosovës, rrëzohen kulme dhe sera

Erërat e fuqishme që kanë përfshirë Kosovën gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar dëme materiale në disa komuna të vendit.

Si pasojë e motit të lig, janë rrëzuar kulme të objekteve të banimit dhe bizneseve, janë dëmtuar sera bujqësore, ndërsa në disa zona janë raportuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Në fshatin Koshare të Ferizajt, erërat kanë dëmtuar dhe rrëzuar kulmin e një lokali. Ndërkaq, në qytetin e Ferizajt është rrëzuar kulmi i një banese, duke bllokuar përkohësisht rrugën “Dëshmorët e Kombit”.

Dëme janë raportuar edhe në Obiliq, ku erërat kanë shkaktuar dëme materiale dhe kanë shpërndarë mbeturinat në qendër të qytetit. Një pjesë e qytetit ka mbetur gjithashtu pa energji elektrike.

Në fshatin Dardhishtë janë rrëzuar shtylla elektrike të tensionit të lartë, duke lënë zonën pa furnizim me energji. Banorët dhe anëtarët e një shoqate janë angazhuar për vendosjen e sinjalistikës paralajmëruese dhe masave mbrojtëse deri në intervenimin e institucioneve.

Dëme të konsiderueshme janë shkaktuar edhe në bujqësi. Në Krushë të Madhe të Rahovecit janë publikuar pamje të dëmeve në sera, ndërsa në fshatin Ruboc të Kamenicës janë rrëzuar dy sera me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 300 metrash katrorë.

Ndërkohë, në lagjen “Jeni Mahall” të Prizrenit është raportuar për djegien e telave elektrikë në një shtyllë të rrjetit të energjisë.

Institucionet kishin paralajmëruar më 18 nëntor për erërat e fuqishme që pritej të përfshinin vendin më 19 nëntor. Sipas paralajmërimeve, erërat pritet të vazhdojnë edhe gjatë pasdites së 20 nëntorit.

Qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin qëndrimin pranë kulmeve të pasigurta, pemëve dhe shtyllave elektrike, si dhe të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit./A.K/

Exit mobile version