Erërat e forta me shi të rrëmbyeshëm gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme materiale në objektin banesor afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj.
Në njoftimin e kësaj komune thuhet se përveç fasadës së jashtme në një pjesë të objektit e cila ka rënë në tokë duke dëmtuar veturat afër ndërtesës, fatmirësisht ka kaluar pa pasoja tjera.
“Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me zyrtarët policorë, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke shirituar zonën e rrezikut dhe janë në gjendje gatishmërie për çdo situate”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se Komuna e Skenderajt shumë shpejt do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të sanuar dëmet e shkaktuara.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar se sot në vendin tonë mund të ketë reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.