Suedia premtoi ekstradimin e 73 personave në Turqi si rezultat i memorandumit që u nënshkrua të martën në Madrid midis Suedisë, Finlandës dhe Turqisë, tha presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan.
“Nëse premtimi nuk mbahet, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme në marrëveshje”, tha ai të enjten, duke shtuar se Turqia nuk do ta dërgojë ratifikimin e marrëveshjes në parlament. “Nëse nuk i përmbushin këto, ne nuk do ta dërgojmë në parlament”.
Megjithatë, Erdogan e quajti memorandumin një “fitore diplomatike”.
Përpara samitit të NATO-s ku u nënshkrua memorandumi trepalësh, Turqia tha se do të vërë veton ndaj ofertave të anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO, pasi sipas saj ato strehojnë anëtarë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, të cilën Turqia, BE dhe SHBA e njohin si organizatë terroriste, si dhe FETO që Turqia e akuzon për tentativën për grusht shtetin e vitit 2015.
Memorandumi thotë se Suedia dhe Finlanda do të adresojnë kërkesat e Turqisë për ekstradim të të dyshuarve për terrorizëm në përputhje me Konventën Evropiane për Ekstradimin./UBTNews/