UBT News

Erdogan urdhëron të shpallen ‘persona non grata’ 10 ambasadorë, përfshirë atë të ShBA-së

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka urdhëruar ambasadorët e 10 vendeve, përfshirë atë të SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë, të shpallen “persona non grata” pasi bënë thirrje për lirimin e biznesmenit dhe filantropit Osman Kavala, transmeton UBT News.

“I dhashë udhëzimet e nevojshme ministrit tonë të punëve të jashtme”, tha Erdogan të shtunën. “Unë i thashë që ju do të merreni me këta 10 ambasadorë, t’i shpallni persona non grata sa më shpejt të jetë e mundur”.

Presidenti turk shtoi se ambasadorët duhet të largohen nga vendi nëse nuk e kuptojnë Turqinë, përcjell UBT News.

Ky veprim vjen disa ditë pasi Turqia kritikoi ambasadorët, atë të SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Kanadasë, Danimarkës, Holandës, Finlandës, Zelandës së Re, Norvegjisë dhe Suedisë lidhur me deklaratën e tyre të përbashkët që kërkonte lirimin e Kavalës në vitin e katërt të ndalimit të tij.

“Vonesat e vazhdueshme në gjyqin e tij, duke përfshirë bashkimin e çështjeve të ndryshme dhe krijimin e të rejave pas një lirimi të mëparshëm, hedhin një hije mbi respektin për demokracinë, sundimin e ligjit dhe transparencën në sistemin gjyqësor turk”,
thuhej në deklaratën e përbashkët. “Duke vënë në dukje vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për këtë çështje, ne i bëjmë thirrje Turqisë që të bëjë lirimin e tij urgjent”.

Ministria e Jashtme turke e quajti deklaratën si “të papërgjegjshme”.

Osman Kavala ndodhet në paraburgim pa dënim që nga viti 2017. Ai u lirua nga akuzat vitin e kaluar në lidhje me protestat Gezi Park 2013. Vendimi u anulua dhe kundër tij u ngritën akuza të reja për përfshirjen e tij të dyshuar në tentativën për grusht shtet të vitit 2016./UBTNews/

Exit mobile version