Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se vendi i tij vazhdon bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën për t’i dhënë fund luftës në vazhdim.
“Ne dëshmuam, së bashku me marrëveshjen e drithërave dhe shkëmbimin e të burgosurve, se mund të hapet rruga drejt paqes nëse i jepet një mundësi diplomacisë”, tha Erdogan në një samit trepalësh midis Turqisë, Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit, duke përmendur marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Turqia midis dy palëve.
“Ne vazhdojmë bisedimet tona me Putinin dhe Zelenskyn në këtë drejtim. Shpresojmë se fillimisht do të arrijmë një armëpushim dhe më pas paqe të qëndrueshme në rajonin tonë”, shtoi Erdogan.
Presidenti Erdogan, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe ai i Turkmenistanit, Serdar Berdimuhamedov, u takuan në qytetin perëndimor turkmen Avaza për të adresuar hapat për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis tre vendeve në fusha të ndryshme, veçanërisht në tregti, energji dhe transport.
Presidenti turk gjithashtu tha se treshja duhet të fillojë punën për transportimin e gazit natyror turkmen në tregjet perëndimore.
“Ne jemi të gatshëm të punojmë për transferimin e energjisë elektrike nga Turkmenistani dhe Azerbajxhani në vendin tonë”, tha Erdogan.
Erdogan theksoi se anëtarësimi i plotë i Turkmenistanit në Organizatën e Shteteve Turke do të forconte grupin. Që nga viti 2021, Turkmenistani ka statusin e vëzhguesit në grup. /ATSH