Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, shprehu sot shpresën që presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të mbajë premtimet për t’i dhënë fund konflikteve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe të ushtrojë presion mbi Izraelin për të ndalur veprimet agresive në rajon.
Duke folur me gazetarët gjatë udhëtimit të tij të kthimit nga Hungaria, Erdogan theksoi se një veprim i rëndësishëm do të ishte ndërprerja e furnizimit me armë të SHBA për Izraelin, një hap që, sipas tij, do të ndihmonte në shuarjen e tensioneve në Liban dhe territoret palestineze.
“Ne duam që ky premtim të përmbushet dhe Izraelit t’i thuhet të ndalojë,” tha Erdogan, i cituar nga gazeta Hurriyet dhe disa media të tjera turke.
Turqia ka qenë një nga zërat më kritikë të politikave izraelite, duke akuzuar këtë vend për kryerjen e një “gjenocidi” në Gaza dhe duke denoncuar mbështetjen perëndimore ndaj Izraelit për këto veprime. Përmes kësaj deklarate, Erdogan nënvizoi se ai pret që SHBA të luajë një rol më konstruktiv në përpjekjet për paqe dhe të sjellë një ndryshim të ndjeshëm në politikat e saj në rajon./AP/