“Në qoftë se kushdo sjell vendim për njohjen e Kosovës si të pavarur, në të njëjtin moment ne do të nisim fushatën për tërheqjen e njohjeve”, ka deklaruar, më 22 korrik, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiqi në këtë mënyrë i është përgjigjur paralajmërimit të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se do të punojë për njohjet e reja të Kosovës.
“E respektoj mjaft presidentin turk Erdogan dhe dëshirojmë marrëdhëniet më të mira me Turqinë, por ne e kemi vendin dhe interesat tona dhe ne do të sillemi në harmoni me to”, ka thënë Vuçiq gjatë një vizite në Kragujevc, qytet në Serbi.
Një ditë më herët, presidenti i Serbisë është thirrur në Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilën, në shtator të vitit 2020, e ka nënshkruar me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, nën përkujdesjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
“Beogradi dhe Prishtina kanë obligim që të përmbahen nga fushata e tërheqjes dhe lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Vuçiq, më 21 korrik, si dhe ka shtuar që lidhur me paralajmërimin e Erdoganit, do “të përpiqet që të bisedojë” me kolegun turk.
“Kjo nuk është turke”, ka thënë Vuçiq gjatë vizitës në manastirin Manasija, në lindje të Serbisë.
Çfarë ka thënë Erdogan?
Siç ka transmetuar, më 19 korrik, agjencia Reuters, Erdogani ka deklaruar që “shpreson të ketë mundësinë të flas me presidentin e SHBA-së, Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, lidhur me njohjen ndërkombëtare të Kosovës, në mënyrë që të punojmë së bashku që edhe më shumë shtete të njohin Kosovën”.
“Ne përpiqemi që sa më shumë vende në botë të njohin Kosovën”, ka thënë presidenti turk në prag të vizitës së tij në pjesën turke të Qipros.
Sipas listës së publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës të Kosovës, janë 117 vende që e njohin pavarësinë.
A do t’i luhatë, një paralajmërim i tillë, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Turqisë, të cilat, gjatë viteve të fundit janë intensifikuar në planin politik dhe ekonomik?
Një gjë të tillë nuk e beson analisti politik Firat Hamdi nga organizata think-tank Feniks Politik.
“Vuçiqi do të thotë se diçka e tillë do të jetë e keqe, ndërkaq Erdogan do të thotë që do ta mbështesë pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk do ta ndryshojë situatën e bashkëpunimit të tyre në terren. Turqia gjithmonë e ka mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe nuk jam i sigurt se kjo është diçka e madhe”, ka vlerësuar Hamdi për Radion Evropa e Lirë.
Turqia e ka njohur Kosovën më 18 shkurt të vitit 2008, vetëm një ditë pasi që Prishtina e shpalli pavarësinë e vendit.
Hamdiu thekson që Erdogani dhe Vuçiqi janë “liderë pragmatikë”, të cilët fokusohen në pikat e bashkëpunimit.
“Ata e dinë se në cilat çështje mund të bashkëpunojnë dhe në cilat jo. Ata i injorojnë temat, në të cilat nuk mund të punojnë së bashku. Kosova është një prej atyre temave”, tha Hamdi, duke vlerësuar që Vuçiqi dhe Erdogani janë partnerë të mirë, të cilët janë orientuar, para së gjithash, në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të dy vendeve.
“Ata gjithashtu kanë vendosur që të mos fokusohen në problemet historike, në nacionalizmat turk dhe serbë, në mbështetjen (e Turqisë) për boshnjakët ose për mbështetjen serbe ndaj Republikës Serbe (entitet i Bosnjë e Hercegovinës)”, ka thënë Hamdi.
Pse Erdogani foli tash për Kosovën?
Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Fondi BFPE për shoqëri të përgjegjshme, Marko Savkoviq, vlerëson që çështja e pranimit të Kosovës sërish do të jetë në rend të ditës në vjeshtë.
“Prandaj, secili vend ka arsyet e veta të brendshme për shkak të së cilave e njeh ose nuk e njeh Kosovën”, theksoi Savkoviq, duke potencuar vendin, në të cilin Erdogan dërgoi porosinë lidhur me Kosovën.
“Ai e tha këtë në Qipro dhe ai këtu e vendos Kosovën dhe Qipron Veriore në të njëjtin rrafsh, si shtete, gjegjësisht si entitete që luftojnë për njohje të shtetësisë. Do të shohim nëse kjo ka qenë vetëm për përdorim të brendshëm, për të inkurajuar turqit që jetojnë në Qipron Veriore dhe që mbështesin Erdoganin apo ka disa implikime më të gjera”, tha Savkoviq.
Erdogani, gjatë vizitës së tij dyditore në Qipro, ka deklaruar se rruga e vetme drejt paqes së qëndrueshme në atë ishull të Mesdheut Lindor, të ndarë etnikisht, është pranimi i zgjidhjes me dy shtete, si dhe ka paralajmëruar prani më të madhe të Turqisë në pjesën veriore të Qipros. Kjo deklaratë, siç kanë raportuar mediat botërore, e ka pakësuar shpresën për bashkimin e ishullit të ndarë.
Gjatë kohës së vizitës së Erdoganit në Qipron Veriore, autoritetet e turqve qipriotë kanë paralajmëruar hapjen e sërishme të pjesës së braktisur të qytetit Varosh për zhvendosje të mundshme, duke nxitur kështu kundërshtimin e Perëndimit, por edhe një qortim të ashpër nga grekët qipriotë, të cilët thonë se bëhet fjalë për rrëmbim të organizuar të tokës, ka transmetuar agjencia Reuters.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka quajtur këtë paralajmërim si “provokues” dhe “të papranueshëm”, ndërkaq që brengosjen e ka shprehur edhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
“Përmirësimi” i marrëdhënieve me Perëndimin
Si një prej arsyeve të paralajmërimit të fushatës për njohjen e Kosovës nga Erdogan, analisti politik Firat Hamdi e thekson edhe tentimin e tij “për të kuruar marrëdhëniet e luhatura me Perëndimin”.
Bashkimi Evropian është ndërmjetësues në dialogun e Kosovës me Serbinë, në të cilin, si qëllim të fundit e pret arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë.
Viteve të fundit, për sa i përket çështjes së Kosovës, Erdogan ka qenë “i qetë”, vlerëson Hamdi.
“Kjo ka ndodhur për shkak të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë, por Erdogan, gjithashtu, ka dashur që t’i intensifikojë marrëdhëniet e tij me Moskën. Turqia ka blerë nga Rusia sistemin raketor S-400”, përkujton Hamdi.
Për shkak të këtij veprimi, Uashingtoni ka vendosur sanksione ndaj Ankarasë, ndërkaq që Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland ka deklaruar më 21 korrik se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është i vendosur që të mos i heq ato sanksione.
Nuland ka thënë se Biden mund të vendosë sanksione të tjera në rast se Turqia vazhdon të blejë armatim nga Rusia.
Kontesti rreth blerjes së sistemit mbrojtës rus S-400, kritikat e Shtëpisë së Bardhë për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi, si dhe situata në Siri, janë vetëm disa nga pikat e kontestit ndërmjet Uashingtonit dhe Ankarasë.
Çfarë ka thënë Erdogan për Kosovën?
Në prag të vizitës në Beograd, në tetor të vitit 2019, presidenti i Turqisë, Erdogan, ka deklaruar për gazetën Politika se arritja e marrëveshjes lidhur me çështjen e Kosovës, e cila i kënaqë të gjitha palët e interesuara, është me rëndësi vitale për stabilitetin afatgjatë në Ballkan, në kuadër të së cilit, siç ka thënë ai, hyn edhe Turqia.
“Prandaj, mbështesim vazhdimin e procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si dhe arritjen e marrëveshjes së qëndrueshme gjithëpërfshirëse, të bazuar në vullnetin e lirë dhe konsensusin e të dyja palëve”, ka thënë Erdogan për gazetën Politika.
Gjatë vizitës në Prizren, në tetor të vitit 2013, Erdogan, atëherë si kryeministër, në një tubim prej disa mijëra qytetarëve të Kosovës, kishte thënë që Kosova është vendi i tij i dytë.
“Të dashur vëllezër dhe miq, kemi historinë e përbashkët të kulturës dhe qytetërimit. Mos harroni, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi. Ne jemi aq të afërt, kështu që edhe autori i himnit turk, Mehmet Akif Ersoj, është nga Kosova, nga Peja”, ka thënë Erdogan në tubim, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
Në atë kohë, Qeveria e Serbisë kishte thënë që komentet e Erdoganit paraqisnin “shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë”.
U tha gjithashtu se deklaratat e tilla “dëmtojnë marrëdhëniet e Beogradit me Ankaranë dhe i pengojnë përpjekjet që Serbia i ka investuar për normalizimin e situatës në rajon, veçanërisht në Kosovë”.
Aleksandar Vuçiq, atëherë si zëvendëskryeministër i parë i Qeverisë së Serbisë, pati porositur që Kosova nuk është Turqi dhe pati kërkuar që Erdogan të kërkojë falje urgjentisht.
Si janë marrëdhëniet e sotme me Serbinë?
Erdogan ka qenë në Serbi dy herë, më 2017 dhe më 2019, ndërkaq që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qëndruar për vizitë në Turqi, në shtator të vitit 2020.
“Do ta ruajmë miqësinë”, kishte porositur Erdogan në vitin 2017, në Novi Pazar, qytet në jugperëndim të Serbisë, në rajonin e Sanxhakut.
Presidenti turk kishte theksuar që ai rajon, i banuar me popullatë shumicë boshnjake, është një nga urat më të rëndësishme që lidhin Serbinë dhe Turqinë dhe se ajo lidhje e fortë më së miri është reflektuar edhe në marrëdhëniet bilaterale të dy vendeve.
Ndaj konstatimeve të gazetarëve se Turqia e ka njohur Kosovën, presidenti i Serbisë, gjatë vizitës së Erdoganit, në vitin 2019, deklaroi se Ankaraja është udhëhequr me interesat e veta.
“Të mos i shesim mend Turqisë sepse nga kjo nuk ka kurrfarë dobie. Interesat tonë lidhur me atë çështje, janë ende të ndryshme. E falënderoj Erdoganin që pranoi që zgjidhja që do të arrijmë me shqiptarët, të jetë e pranueshme edhe për Turqinë”, kishte deklaruar atëbotë Vuçiqi.
Erdogani tha se Vuçiqi e dha përgjigjen më të përshtatshme.
Presidenti i Serbisë shumë herë i ka cilësuar marrëdhëniet e Serbisë me Turqinë, si “shumë të mira”.
“Duke iu falënderuar angazhimit të Erdoganit, është vendosur një mirëbesim i madh ndërmjet Serbisë dhe Turqisë dhe duke iu falënderuar atij, jemi duke ndërtuar marrëdhëniet më të mira, në historinë bashkëkohore, ndërmjet Serbisë dhe Turqisë. Kjo bëhet për interesat e të dy popujve dhe dy vendeve”, kishte thënë Vuçiq gjatë vizitës së Erdoganit, në vitin 2019.
“Turqia e vështron këtë hapësirë dhe ka fuqinë e saj të butë, të cilën e realizon pa ndonjë konfrontim. Ajo për të cilën ata kanë pasur sukses këtu, në njëfarë mënyre, është shumë më tepër nga ajo që Rusia pati sukses”, vlerësoi Marko Savkoviq.
Në dhjetor të vitit 2017, Serbia ia dorëzoi Turqisë, kurdin Cevtet Ayaz, pavarësisht rekomandimit të Komitetit të Kombeve të Bashkuara kundër torturës, që Serbia të përmbahet nga ekstradimi, sepse ekzistonte rreziku që ai mund t’u nënshtrohej torturave ne vendin e tij amë.
Shtetasi turk, kurdi Cevtet Ayaz, u dënua në Turqi me 15 vjet burg, për shkak të shkeljes së rendit kushtetues.
Ministrja e atëhershme e Drejtësisë e Serbisë, Nela Koburoviq, e kishte arsyetuar vendimin e Serbisë duke thënë që rekomandimi i Komitetit të OKB-së, kishte arritur pasi që ishte marrë vendimi për ekstradim.
Fokusi në ekonomi
Që nga ardhja në pushtet e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit, Turqia i ka rritur investimet në Serbi, si dhe praninë e kompanive të saj.
Në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë thuhet që në këtë vend bëjnë biznes mbi 899 kompani turke, të cilat punësojnë rreth 10.000 njerëz.
Shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve, në vitin 2020, arriti në 1.19 miliard euro, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë.
Serbia dhe Turqia kanë nënshkruar 76 marrëveshje bilaterale, ndër të cilat janë: Marrëveshja për tregti të lirë e vitit 2009, Marrëveshja për bashkëpunim ekonomik, e po atij viti, Marrëveshje ndërmjet qeverive për bashkëpunim në fushën e projekteve infrastrukturore, Deklarata e përbashkët politike për vendosjen e Këshillit të lartë për bashkëpunim, në vitin 2017.
Gjatë vizitës së Erdoganit në Serbi, në vitin 2019, është nënshkruar Marrëveshja për mirëkuptim mbi patrullat e përbashkëta policore, e cila rregullon patrullat e përbashkëta të policisë serbe dhe turke.
Presidentët e Serbisë dhe Turqisë dhe anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës – Zhelko Komshiq, Milorad Dodik dhe Shefik Xhaferoviq – po atë vit kanë qenë të pranishëm në hapjen e punimeve për ndërtimin e një pjese të autostradës Beograd – Sarajevë. Erdogan dhe Vuçiq ishin nikoqirë të Samitit trelateral të Serbisë, Turqisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në të cilin ishin të pranishëm të tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.
Konsorciumi amerikano-turk merr pjesë në ndërtimin e një pjese të autostradës në Serbi.
Në prill të vitit 2018, Erdogan bëhet qytetar nderi i Novi Pazarit, qytet ky më i madhi në rajonin e Sanxhakut, në Serbinë Jugperëndimore. Në këtë qytet, i cili është i banuar me shumicë boshnjake, Turqia financon rinovimet dhe ndërtimin e infrastrukturës.
Erdogan, gjithashtu, është presidenti i parë i Turqisë që ka vizituar Sanxhakun.
Në prill të këtij viti është hapur edhe konsullata turke në Novi Pazar.