Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në “Turkish House” në New York, në kuadër të pjesëmarrjes në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas Presidencës turke, në takim janë diskutuar marrëdhëniet dypalëshe mes Turqisë dhe Kosovës, si dhe zhvillimet rajonale dhe globale.
Erdoğan ka deklaruar se të dyja vendet do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për rritjen e vëllimit tregtar, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe industrisë së mbrojtjes.
Presidenti turk ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e Ankarasë për Kosovën në përpjekjet për të forcuar pozitën e saj në komunitetin ndërkombëtar, ndërsa ka theksuar edhe mbështetjen e Turqisë për dialogun ndërmjet vendeve të Ballkanit.
Gjatë takimit, Erdoğan e ka ftuar Kurtin të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të COP31, i cili do të mbahet në Turqi.
Në takim kanë marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, ministri i Tregtisë, Ömer Bolat, si dhe zyrtarë të tjerë të Presidencës turke./A.K/
