UBT News

Erdogan synon rritjen e tregtisë me Rusinë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë të dielën në një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, se dëshiron të zgjerojë bashkëpunimin tregtar në mes të Ankarasë dhe Moskës.

“Presidenti Erdogan ka deklaruar se ai synon rritjen e bashkëpunimit në mes të Turqisë dhe Rusisë në disa drejtime, përfshirë zgjerimin e volumit tregtar”, ka thënë Presidenca turke përmes një deklarate.

Ndonëse ka qenë e shpejtë në dënimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, Turqia mban qëndrim neutral për këtë luftë, dhe nuk i ka ndjekur politikat e Perëndimit për vendosje të sanksioneve kundër Moskës.

Erdogan e ka justifikuar politikën për shkak të varësisë së Turqisë ndaj naftës dhe gazit rus.

Pesë kompani turke janë shënjestruar me sanksione amerikane në shtator të vitit 2023 për furnizim me pajisje të disa kompanive ruse në fushën e mbrojtjes.

Në një letër të dërguar në gusht të vitit 2022, Departamenti amerikan i Thesarit pati paralajmëruar kompanitë turke për “rrezik në rritje” teksa “Rusia tenton të shfrytëzojë” Turqinë për “t’iu ikur sanksioneve”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

Exit mobile version