Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se për krizën energjetike në Evropë fajtorë janë sanksionet e vendosura nga shtetet evropiane ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Një akuzë të tillë, Kremlini e ka bërë ndaj Evropës.
Erdogan ka mbajtur raporte të mira pune me presidentin rus, Vladimir Putin, teksa ka tentuar që të qëndrojë neutral sa i përket konfliktit, por ka furnizuar Ukrainën me armë dhe dronë luftarakë.
Para se të nisej drejt një vizite në Ballkan, Erdogan u tha gazetarëve më 6 shtator se shtetet evropiane “po korrin atë që kanë mbjellë” duke vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë.
“Qëndrimi i Evropës ndaj zotit Putin, sanksionet e saj, e kanë sjell zotin Putin – me apo pa dëshirë– deri në pikën që të thotë: ‘Nëse ju veproni kështu, unë do të veproj kështu’”, tha Erdogan.
Deklaratat e Erdoganit janë të ngjashme me ato që Kremlini paraqiti gjatë kësaj jave.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të hënën fajësoi “sanksionet e vendosura ndaj shtetit tonë”, teksa foli për ndalesën e dërgesave të gazit për në Gjermani përmes gazsjellësit Rrjedha Veriore 1.
Vitin e kaluar, importet ruse përbënin pothuajse gjysmën e blerjeve të Turqisë të gazit natyror.
Turqia është zotuar se gradualisht do të nisë që të paguajë me rubla për importet e energjisë ruse. Ky zotim u bë në samitin midis Erdoganit dhe Putinit në Soçi më herët gjatë këtij muaji.
Analistët besojnë se kjo marrëveshje do të sigurojë që Rusia të vazhdojë ta furnizojë Turqinë me gaz përmes gazsjellësit Rrjedha Turke, që kalon nën Detin e Zi.
Erdogan tha se nuk pret që Turqia të ketë ndonjë mungesë të furnizimit me energji gjatë këtij viti.
“Mendoj se Evropa do të ketë probleme serioze me furnizime gjatë këtij dimri”, tha Erdogan.
Rritja e çmimeve të energjisë në botë, që është shkaktuar pas ndërprerjeve të energjisë ruse, ka nxitur krizë ekonomike në Turqi, shtet që po përballet me një inflacion vjetor prej 80 për qind dhe teksa lira turke po vazhdon të zhvlerësohet./REL