Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan udhëtoi drejt Emirateve të Bashkuara Arabe të hënën në vizitë zyrtare. Ai u prit nga Sheikh Mohamed bin Zayed, Princi i Kurorës së Abu Dhabit dhe Zëvendës Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura, së bashku me Sheikh Mansour bin Zayed, zëvendëskryeministër dhe ministër i çështjeve presidenciale, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Wam.
Erdogan do të qëndrojë për dy ditë në Emiratet e Bashkuara Arabe për të forcuar lidhjet mes dy vendeve.
Duke folur para gazetarëve në Aeroportin Ataturk në Stamboll të hënën pak para nisjes, presidenti tha se vizita synon të formësojë 50 vitet e ardhshme të “miqësisë dhe vëllazërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe”.
Vizita e Erdoganit – e para që nga viti 2013 – “hap një faqe të re pozitive në marrëdhëniet dypalëshe”, tha në një postim në Twitter Anwar Gargash, këshilltar i presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Abdul Khaleq Abdallah, profesor i shkencave politike në Emiratet e Bashkuara Arabe, shkroi në Twitter të dielën se të dy vendet duhet të synojnë të forcojnë “partneritetin politik strategjik”./UBTNews