Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, kërkoi të hënën falje për vonesat e shpëtimit ndërsa vizitoi një nga zonat e goditura më rëndë nga tërmeti vdekjeprurës në fillim të këtij muaji.
Erdogan, i cili po kërkon një mandat tjetër si president pas dy dekadash në pushtet, ka marrë kritika të forta nga të mbijetuarit e tërmetit në Adiyaman në juglindje.
Në zgjedhjet e fundit në vitin 2018, Erdogan mundi me lehtësi rivalin e tij laik të opozitës në atë provincë.
“Për shkak të efektit shkatërrues të lëkundjeve dhe motit të keq, ne nuk mundëm të punonim ashtu siç dëshironim në Adiyaman për ditët e para. Kërkoj falje për këtë”, tha Erdogan.
Tërmeti i 6 shkurtit vrau 44,218 njerëz në Turqi dhe mijëra të tjerë në Sirinë fqinje.
“Unë nuk pashë askënd [duke ndihmuar] deri në orën 14:00 të ditës së dytë të tërmetit”, tha në atë kohë për AFP banori i Adiyaman, Mehmet Yildirim.
“Pa qeveri, pa shtet, pa polici, pa ushtarë. Turp për ju! Na latë vetë”.
Menjëherë pas tërmetit, Erdogan kishte pranuar “mangësitë” në trajtimin e katastrofës nga qeveria./UBTNews/