Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan thotë se presidenti amerikan, Joe Biden dhe administrata e tij janë bashkëpunëtorë në “krimet e luftës” izraelite dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar në Gaza.
Në një intervistë me Newsweek gjatë samitit të NATO-s në Uashington, Erdogan theksoi “vrasjen brutale” të civilëve nga Izraeli dhe sulmet e tij në spitale, qendra ndihme dhe gjetkë.
“Administrata amerikane, megjithatë, i shpërfill këto shkelje dhe i ofron Izraelit mbështetjen më të madhe. Ata e bëjnë këtë në kurriz të të qenit bashkëfajtorë në këto shkelje”, tha Erdogan.
“Në këtë moment, kush do të vendosë çfarë lloj sanksionesh duhet shqiptuar kundër Izraelit për shkeljen e ligjit ndërkombëtar? Kjo është pyetja e vërtetë dhe askush nuk po i përgjigjet asaj”.
Izraeli ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat se ka shkelur ligjin ndërkombëtar dhe ka mohuar se ka shënjestruar qëllimisht civilët. Turqia ka dënuar vazhdimisht sulmin e Izraelit ndaj Gazës, ka kritikuar vendet perëndimore për mbështetjen e Izraelit dhe ka bërë thirrje që Izraeli të ndëshkohet nga gjykatat ndërkombëtare./UBTNews/