Më 5, 6 dhe 7 mars Ambasada e Kosovës në koordinim me shtetin e Turqisë ka zhvilluar aktivitete në nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 5 mars në Qendrën Kulturore Shqiptare në Ankara me praninë e diplomatëve të Kosovës dhe Shqipërisë, koordinatorëve, studentëve dhe aktivistëve shqiptarë u mbajt aktiviteti përkujtimor me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I ftuar i veçantë në këtë ngjarje të rëndësishme ishte përfaqësuesi i familjes Jashari dhe nipi i komandantit legjendar, Adem Jashari, Prof.Dr Murat Jashari. Në këtë ditë mbajtën fjalime diplomatët, ambasadori i Shqipërisë, Kastriot Robo dhe Prof.Dr Murat Jashari.
Aktivitetet vazhduan edhe më 6 mars. Diplomatët e Kosovës në Turqi së bashku me Jasharin vizituan qytetin e Sivas-it, ku vunë kurorë te shtatorja e komandantit Adem Jashari e cila gjendet në Universitetin Cumhuriyet dhe te shtatorja e Mustafa Kemal Atatürk. Gjithashtu zhvilluan takime me Prefektin e qytetit, Sivas Salih Ayhan, nënkryetarin e Komunës, Tuğran Topgül, si dhe zv.Rektorin e Universitetit Cumhuriyet, Ünal Kılıç.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Ankara e përmbylli manifestimin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 7 mars te “Parku Kosova” në Ankara me “Natën e Zjarreve”, e cila simbolizon zjarrin e pushkëve të lirisë. Përveç diplomatëve nga Kosova dhe Shqipëria, ndërsa nga Republika e Maqedonisë së Veriut mori pjesë Hanif Dauti, i ngarkuari me punë i përkohshëm.
Tre flakadanë u ndezën nga studentët shqiptarë, të veshur me uniformën e UÇK. Tre flakadanët simbolizuan:
UÇK – tri shkronja të arta të flakëruara me gjakun e dëshmorëve,
Komandantët Adem e Hamzë Jashari dhe mësuesin e dritës dhe diturisë, bacën Shaban Jashari,
Tri rrethime të Jasharëve, 30 janari i vitit 1991, 22 janari i vitit 1998 dhe rrethimi i hekurt i 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998,
Tri ditë e tri netë luftime, dhe tre breza në një hallkë.
Në fund u shfaq edhe një film dokumentar kushtuar familjes heroike Jashari i përgatitur nga studentët shqiptarë./UBTNews/