Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka refuzuar të marrë pozitën e nënkryetarit të partisë, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues që u mbajt të enjten.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoxhaj ka thënë se do ta respektojë parimin që deputetët të mos përfshihen në Kryesinë e re të PDK-së, prandaj ai do të mbetet vetëm pjesë e Kuvendit të Republikës së Kosovëës.
“Me të drejt u diskutua dje dhe sot nëse po shmangej me përfshirjen time një parim i vendosur që deputetët të mos përfshihen në kryesinë e re. Në vijëmësi të qëndrimit të shprehur edhe në Konventën e zgjedhjes së kryetarit të ri që PDK ka nevojë të hapet, të afrojë njerëz ti ri dhe reformohet, unë do ta respektoj këtë parim dhe do të mbetem vetëm deputet.”, ka thënë ai.
Po ashtu, Hoxhaj ka thënë se është koha që ekipi i ri të punojë për ta rikthyer PDK-në si forca e parë politike.
Ndryshe, kreu i partisë, Memli Krasniqi në konferencë për media ka deklaruar të enjten se me shumicë votash është votuar propozimi i tij për Kryesinë e re.
Anëtarët e rinj të Kryesisë së partisë janë: Bernard Nikaj, Donika Shahini, Jakup Nura, Bekim Çollaku, Nexhat Demaku, Evgjeni Thaçi-Dragusha, Sokol Bashota, Besa Kabashi Ramaj, Adri Nurellari, Rashit Qalaj, Zenun Pajaziti, Valdete Idrizi, Betim Gjoshi, Fehmi Mujota, Petrit Hajdari, Luljeta Veselaj-Gutaj, Blerand Stavileci, Muzafer Shala, Muhamet Haliti, Kujtimi Gashi, Safete Hadergjonaj, Donjet Bislimi.
Ndërkaq, PDK-ja ka zgjedhur edhe nënkryetarët e partisë.
Katër nënkryetarët e rinj të kësaj partie janë Vlora Çitaku, Ramë Buja, Enver Hoxhaj dhe Uran Ismaili.
Ndërsa sekretar i PDK-së është zgjedhur Bajrush Xhemajli.
Zgjedhja e Kryesisë së re të PDK-së, ka ardhur pas mbajtjes së Konventës më 3 korrik të këtij viti e ku kryetar i partisë u zgjodh Memli Krasniqi.
Postimi i plotë i Hoxhajt:
Faleminderit kryetarit Krasniqi dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të PDK-së për besimin e dhënë që të jem pjesë e kryesisë së re të partisë dhe njëri nga nënkryetarët e saj. Me të drejt u diskutua dje dhe sot nëse po shmangej me përfshirjen time një parim i vendosur që deputetët të mos përfshihen në kryesinë e re. Në vijëmësi të qëndrimit të shprehur edhe në Konventën e zgjedhjes së kryetarit të ri që PDK ka nevojë të hapet, të afrojë njerëz ti ri dhe reformohet, unë do ta respektoj këtë parim dhe do të mbetem vetëm deputet. Është koha që ekipi i ri e kryesia e sapo votuar të punoj dhe angazhohet për ta rikthyer PDK-në si forca e parë politike. Do të angazhohen me tërë qenien time për ta ndihmuar partinë si dhe kandidatët tonë në zgjedhjet lokale.