UBT News

Enver Hoxhaj kërkon shtyrjen e Konventës së PDK-së

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar shtyrjen e Konventës së PDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri, duke theksuar se procesi aktual nuk garanton garë të drejtë, përmbajtësore dhe të hapur për të gjithë.

Hoxhaj tha se një parti serioze nuk mund të organizojë një konventë të tillë në një periudhë kaq të shkurtër dhe i ka bërë thirrje Kryesisë së PDK-së që ta shtyjë atë të paktën deri të dielën e ardhshme.

Sipas tij, kjo do t’i jepte kohë të mjaftueshme anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë.

“Konventa duhet të shtyhet, sepse kështu do t’u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat. Kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme,” ka shkruar Hoxhaj.

Ai ka theksuar se ngutia aktuale “nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e domosdoshëm” për PDK-në, ndërsa ka kundërshtuar çdo tentativë për orientim apo imponim të garës.

“Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi që delegatët të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale,” ka shtuar ai.

Hoxhaj ka bërë të ditur se është kundër çdo formule që, sipas tij, shpërfill bazën e partisë.

Ai ka kritikuar edhe dorëheqjen e kryetarit të deritanishëm, e cila sipas tij është shoqëruar me preferenca të qarta për pasuesin, duke krijuar përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara./S.K/KP/

 

Exit mobile version