UBT News

Energjia, IT dhe mbrojtja – sektorët potencialë të bashkëpunimit Kosovë – SHBA, sipas Osmanit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë përgjatë një bashkëbisedimi në Institutin Hudson në Uashington këtë javë se Kosova është thellësisht e interesuar për bashkëpunim ekonomik me Shtetet e Bashkuara, dhe beson që dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.

Sipas Osmanit, propozimet e saj janë në përputhje me qëndrimet e presidentit amerikan, Donald Trump për një Amerikë më të fortë dhe madhështore.

Ajo e ka nisur diskutimin duke përmendur faktin se Kina e ka pothuajse monopolin në përpunim të mineraleve të rralla të tokës që gjenden në disa vende të botës, andaj vendet si Kosova dhe aleatet tjera duhet t’i ndihmojnë SHBA-së në hapjen e fabrikave për përpunim të këtyre mineraleve dhe njëra prej këtyre vendeve ku mund të hapet një e tillë mund të jetë edhe Kosova.

Sipas saj, kështu do të forcohej edhe më shumë pozicioni i SHBA-së kundrejt Kinës dhe do të zvogëlohej ndikimi negativ kinez në botë.

Duke folur për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e energjisë, ajo e ka përmendur që Kosova është e treta në Evropë dhe e pesta në botë me rezervat e thëngjillit.

“Tani ekzistojnë teknologji të reja, andaj synojmë të bashkëpunojmë me Shtetet e Bashkuara, me kompanitë amerikane që të sjellin teknologjinë, e cila do të mundësonte përdorimin e rezervave që kemi, por në mënyrë më të pastër”, ka thënë Osmani, duke treguar për pasojat negative me të cilat përballen qytetarët e Kosovës nga nxjerrja dhe përdorimi i thëngjillit aktualisht përmes sistemeve të vjetra.

Aktualisht, rreth 90 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, ndërsa 10 për qind nga burime tjera.

Termocentralet në Obiliq vazhdojnë t’i tejkalojnë kufijtë e lejuar të ndotjes për gazrat vdekjeprurës, dhe pavarësisht obligimeve ndërkombëtare dhe paralajmërimeve nga raportet mjedisore, Kosova mbetet ndër vendet më të ndotura në Ballkan.

Pasojat ndihen më së shumti te fëmijët dhe të moshuarit – me rritje të rasteve të sëmundjeve respiratore, kancerit dhe vdekjeve të parakohshme.

 

Exit mobile version