UBT News

Ëndrra cariste

Shkruan Blerim Reka

1. Dilema e Çerçilit për “Rusinë enigmatike” mbetet aktuale edhe sot. Atje, brenda një shekulli u ndërruan tri regjime, por asnjëherë mentaliteti imperialist rus. Autokracia hegjemoniste mbeti modeli i saj qeverisës. Ajo nuk mësoi nga historia, sepse secili regjim përsëriste gabimin fatal të pararendësit. Apetitet hegjemoniste për të pushtuar shtete të huaja me popullatë jo-ruse, riciklonin betejat e reja të humbura të historisë me gjeografinë.

2. Ndoshta regjimi i sotëm rus, ende nuk është si ai i Koresë së Veriut, por është më i ekskomunikuari botërisht si asnjëherë më parë. I izoluar diplomatikisht, i urrejtur botërisht, i dobësuar ekonomikisht, i inkriminuar penalisht për krime lufte, i kritikuar brenda dhe i mbyllur jashtë, ai e shpiu Rusinë në rrugën e vetë-shkatërrimit.

3. Putini, mund ta ketë fatin e Nikollajit II dhe të Gorbaçovit, me të cilët lidhet fundi i Rusisë cariste, respektivisht Bashkimit Sovjetik. Ëndrra e tij për rikthimin e “shkëlqimit carist”, përmes tri strategjive: “demokracia sovrane”,” bota ruse” dhe “Jalta e re”, u zbatua me invadimet në Gjeorgji, Siri e Ukrainë; me zbarkimin ushtarak në Moldavi; me mbështetjen e separatistëve armen në Azerbejxhan dhe me dërgimin e ushtrisë në Kazakistan. Mirëpo, obsesioni i tij për rikthimin e mega-kufijve carist do t’i kthehet bumerang. Fiksimi i tij pas rikthimit të historisë, mund ta çojë atë në histori.

4. Në vend të mësimit nga historia, çdo regjim i mëvonshëm ri-kthente historinë për të korrigjuar gjeografinë. Asnjë gjeografi nuk i vinte taman historisë së imagjinuar ruse. As sot, me pretendimin falso të Putinit se “Ukraina nuk është shtet”. Por, paradoksalisht, regjimet ruse, të zgjeruara me pushtime territoriale, pastaj ishin tkurrur. Ja pra ku shpie obsesioni me historinë, si mjet për të ndryshuar gjeografinë.

5. “E vërteta është viktima e parë e luftës”, do të thoshte senatori amerikan Xhonson në fund të Luftës së Parë Botërore. Edhe Kremlini u mundua ta shes “të vërtetën” e tij për kinse “operacionin special”, atë që gjithë e panë si agresion ushtarak rus mbi një shtet sovran. Bota nuk i besoi kësaj “të vërtete” ruse. Pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së edhe GjND-ja e kualifikoi invazionin rus si shkelje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës. Këshilli i Evropës e përjashtoi Rusinë, ndërkaq të njejtën pritet ta bëjnë edhe Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata Botërore e Tregtisë. Gjykata Penale Ndërkombëtare pranoi padi për krimet e luftës të kryera ndaj popullatës civile në Ukrainë, e Presidenti Bajden e quajti Putinin kriminel lufte.

6. Për më pak se një muaj, nuk njihet ndonjëherë më parë, një përgjigje kaq e unifikuar multilaterale kundër një shkeljeje unilatarele të rendit botëror. Mendohej që rusët kishin mësuar nga pësimet e pushtimit sovjetik të Afganistanit, por invazioni në Ukrainë, po e dëshmon të kundërtën. Ukraina mund të jetë Afganistani i ri, post-sovjetik për Rusinë. A do të përfundojë me të edhe ëndrra cariste?

Exit mobile version