Kanë kaluar më shumë se tetë muaj nga sulmi terrorist në Banjska të Zveçanit, ku humbi jetën rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku.
Zyrtarisht ende nuk ka padi të ngritur nga Prokuroria e Kosovës për grupin terrorist serb me në krye Milan Radoiçiq, i vënë në kërkim nga Interpoli, por që vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.
Drejtues të institucioneve të shtetit dhe analistë kanë kritikuar Prokurorinë e Shtetit për mos ngritjen e padisë.
Kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media në dhjetor 2023 së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka kritikuar Prokurorinë duke thënë se përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë, Prokuroria nuk ngriti asnjë aktakuzë për sulmin në Banjska.
“Ka pasur numër faktesh, dëshmi të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, ky ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar, dhe ata për të punuar”, kishte thënë Kurti.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit Besim Kelmendi, mos ngritjen e asnjë aktakuze për rastin Banjska e ka arsyetuar me faktin e afatit ligjor për ngritjen e aktakuzave, i cili është dy vjet me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.
“Afati ligjor për ngritjen e aktakuzave janë dy vjet me mundësi vazhdimi në rastet e ndërlikuara edhe për një vit, por kjo kërkohet nga gjykata”, ka thënë Kelmendi.
Më 24 shtator 2023 në Banjskë, një grup terrorist nga Serbia në krye me Milan Radoiçiq sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Policia e Kosovës iu kundërpërgjigj këtij sulmi duke i vrarë tre pjesëtarë të grupit terrorist. Radoiçiq iku në Serbi dhe pranoi se kishte qëndruar prapa këtij sulmi.
Parlamenti Evropian (PE) më 19 tetor 2023 ka dënuar ashpër sulmin ndaj policisë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke e quajtur sulm terrorist dhe ka kërkuar përgjegjësi nga Serbia. /UBTNews/