Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë të ditur se janë në përgatitje e sipër për ecurinë e çështjes së gjykimit për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në prezantimin e sotëm në seancën e radhës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u tha se janë nxjerrë thuajse dhjetë pako me materiale shtesë që kanë të bëjnë kryesisht me deklarime të dëshmitarëve, përcjell klankosova.tv.
Gjithashtu sa i takon raporteve të ekspertëve, u potencua se numri i tyre është tre por që akoma nuk është përcaktuar ndonjë datë për nisjen e gjyqit.
”Pas konferencës së fundit mbi ecurinë e çështjes, 10 paketat me materiale, janë nxjerrë. Gjithashtu janë dorëzuar edhe dy kërkesa shtesë për masa mbrojtëse për datën 27 qershorë dhe 28 përkatësisht”.
”Pjesa e madhe e këtyre paketave ka të bëjnë me deklarata të mëparshme, që ndërlidhen me provat materiale, që janë përmendur edhe në parashtrimin në emër të mbrojtjes së Thaçit”.
”Ka pasur një kërkesë shtesë, për masa mbrojtëse. Kjo ka të bëjë kryesisht me provat materiale të ndërlidhura mbi dëshmitarët e raporteve lidhur me masat mbrojtëse”.
”Janë pesë dëshmitarë ndërkombëtarë, për të cilët ende nuk janë marrë miratimet. Krahas kësaj ka edhe një numër të vogël materialesh, sa i përket dorëzimit të tyre kjo është jashtë kontrollit tonë”.
”Sa i takon raporteve të ekspertëve, numri i tyre është tre, dhe ka të bëjë me materiale kriminalistike, siç kemi të bëjmë me parashtrimin tonë, ndërkohë që materiali faktik bazë për të cilën do të bëhen këto aktekspertiza është duke u nxjerrë brenda afatit këto javë”.