Një ngjarje e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm në veri të vendit ku një anëtar i një familjeje i mori jetën babait dhe vëllait të tij.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branisllav Radoviq, duke sqaruar për KosovaPress rastin tragjik ka thënë se policia është duke punuar akoma për zbardhjen e motivit të ngjarjes.
“Më datë 27.05. në orët e mëngjesit, përkatësisht në ora 05:55 ka ndodhur një incident tragjik në banesën e personit me inicialet B.M. në rrugën ‘Mbreti Petër’ në Mitrovicën Veriore, dhe akoma nën rrethana të pasqaruara, ka ardhur tek rasti i vrasjes së rëndë, ku i dyshuari me inicialet M.B. i lindur më 1993, ka goditur disa herë me thikë dhe ka privuar nga jeta anëtarët e ngushtë të familjes së tij, vëllain me inicialet B.U. dhe babain me inicialet M.B. I dyshuari është arrestuar menjëherë dhe gjendet nën kontrollin policor. Hetimet janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e prokurorit të prokurorisë në veri të Mitrovicës, derisa ekipet e hetuesisë të regjionit verior në Mitrovicë kanë marrë të gjitha masat me qëllim të zbardhjes së motivit të kësaj ngjarje”, tha ai.