UBT News

Ende është e paqartë se çfarë ka ndodhur në Deçan

Komuna e Deçanit shpalli të martën gjendjen emergjente për shkak të situatës së krijuar në këtë komunë pasi që qindra banorë kërkuan ndihmën e mjekut me simptoma të helmimit.

Ende është e paqartë se çfarë ka ndodhur në këtë komunë, rreth 70 kilometra larg Prishtinës, por dyshimet e para u hodhën te furnizimi me ujë nga kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini”.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i tha Zërit të Amerikës se janë duke u kryer hetime lidhur me dy raste te vdekjes që dyshohet se janë të lidhura me situatën.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, tha zoti Nikçi.

Të hënën mbrëma Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike tha se janë ende duke u kryer analizat e mostrave të ujit. Drejtori i këtij instituti, Naser Ramadani tha se “mostrat e dërguara në laborator dhe rezultatet nga analizat fiziko-kimike rezultojnë në kufijtë e lejuar në përputhje me parametrat e përcaktuara”, megjithatë po vazhdojnë analizat epidemiologjike për të gjetur shkaktarët.

Ministria e Shëndetësisë u rekomandoi qytetarëve të zonës të mos përdorin ujin nga sistemi rajonal i ujësjellësit deri në njoftimin e radhës.

Kryetari i komunës së Deçanit, të hënën paralajmëroi masa ligjore dhe administrative, nëse vërtetohet që helmimi ishte pasojë e përdorimit të ujit të pijshëm.

Exit mobile version