UBT News

Në tapetin e kuq të Emmy 2025, yjet e Hollywood-it kërkojnë armëpushim në Gaza

Ceremonia prestigjioze e çmimeve Emmy këtë vit nuk ishte thjesht një mbrëmje e dedikuar për artin dhe talentin në televizion, por u shndërrua edhe në një platformë për të përcjellë një mesazh të fuqishëm politik dhe humanitar: ndalimin e luftës në Gaza.

Shumë prej yjeve të kinemasë shfrytëzuan faktin që vëmendja e botës ishte e përqendruar në këtë event për të shprehur solidaritetin me popullin palestinez dhe për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm.

Aktorja e“Hacks”, Hannah Einbinder, e cila fitoi çmimin për Aktorja më e Mirë në Rol Dytësor për interpretimin në komedinë “White Lotus”, kishte vendosur në veshjen e saj një karficë me hashtag-un #Artists4Ceasefire (Artistët për Armëpushim). Ky gjest u pasua edhe nga aktorë të tjerë si Aimee Lou Wood, Natasha Rothwell, Ruth Negga dhe Chris Perfetti, të cilët bënë të njëjtën zgjedhje simbolike.

Kjo karficë është kthyer në simbol të thirrjes globale për SHBA-në dhe aleatët ndërkombëtarë, të ndërhyjnë për ndalimin e ofensivës izraelite në Gaza, duke i dhënë fund luftës, krizës së urisë dhe vrasjes së civilëve të pafajshëm. Ylli i mbrëmjes ishte aktori spanjoll Javier Bardem.

I nominuar për rolin e tij në serialin “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story”, ai u shfaq në tapetin e kuq me një shall palestinez (keffiyeh), simbol i rezistencës dhe identitetit palestinez.

Në një deklaratë, Bardem u shpreh: “Nuk do të punoj me asnjë kompani që nuk e dënon gjenocidin në Gaza. Mungesa në kinematografi është e parëndësishme, krahasuar me vuajtjet e popullit në Gaza.”

Ai foli për një lëvizje në rritje mes punonjësve të industrisë së filmit në mbështetje të Palestinës, duke përmendur organizatën Film Workers for Palestine. Që nga 2023, karfica e #Artists4Ceasefire është bërë një element i zakonshëm në tapetet e kuq të eventeve madhore si Oscars, Emmy, dhe Golden Globes, duke shërbyer si mjet i qetë, por shumë i fuqishëm proteste.

Lufta në Gaza, e cila nisi në tetor 2023, vazhdon të jetë intensive e përgjakshme. Çdo ditë raportohen viktima të pafajshme, kriza humanitare thellohet nga mungesa e ushqimit, ujit dhe ndihmave mjekësore.

Përgatiti: A.Z. /UBT News/

Exit mobile version