UBT News

Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se do t’ua mësojnë Holokaustin fëmijëve në shkolla

Emiratat e Bashkuara Arabe do të fillojnë t’u mësojnë fëmijëve rreth Holokaustit në klasat e historisë në shkollat fillore dhe të mesme në të gjithë vendin.

Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftoi rreth këtij vendimi. Ambasada nuk dha detaje mbi kurrikulën dhe autoritetet arsimore në Emiratet. Megjithatë, njoftimi vjen pasi Emiratet e Bashkuara Arabe normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në vitin 2020 si pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga administrata e ish-presidentit Donald Trump.

“Në vazhdën e marrëveshjeve historike, (Emiratet e Bashkuara Arabe) tani do të përfshijnë Holokaustin në kurrikulën për shkollat fillore dhe të mesme”, njoftoi ambasada përmes një postimi në Twitter, duke iu referuar marrëveshjes së normalizimit.

Ambasadorja Deborah E. Lipstadt, e dërguara speciale e SHBA-së për monitorimin dhe luftimin e antisemitizmit, vlerësoi njoftimin në postimin e saj në Twitter.

“Edukimi rreth Holokaustit është një domosdoshmëri për njerëzimin dhe shumë vende, për një kohë të gjatë, vazhdojnë të nënvlerësojnë Shoah-un për arsye politike”, shkroi Lipstadt, duke përdorur një fjalë hebraike për Holokaustin. “Unë përgëzoj Emiratet e Bashkuara Arabe për këtë hap dhe pres që të tjerët të ndjekin këtë shembull së shpejti”.

Njoftimi vjen pasi një takim i Grupeve Punuese të Forumit Negev, filloi në Abu Dhabi të hënën. Zyrtarë nga Bahreini, Egjipti, Izraeli, Maroku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe SHBA po marrin pjesë. Egjipti e ka njohur diplomatikisht Izraelin për dekada./UBTNews/

Exit mobile version