Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pranuar zyrtarisht letrat kredenciale nga ambasadori i talibanëve, në një hap që përbën një fitore diplomatike të rëndësishme për udhëheqësit e Afganistanit, të cilët përballen me një izolim të gjerë ndërkombëtar. Ky është ambasadori i parë i talibanëve që emërohet në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga emërimi i një përfaqësuesi të ngjashëm në Kinë në dhjetor të vitit të kaluar.
Ky zhvillim e thekson përçarjen globale në lidhje me mënyrën se si duhet të trajtohen udhëheqësit në Kabul, në një kohë kur talibanët janë të papranuar zyrtarisht nga shumë shtete dhe organizata ndërkombëtare, raporton agjencia “Associated Press”.
Ministria e Punëve të Jashtme e Afganistanit konfirmoi pranimin e letrave kredenciale për Badruddin Haqqanin, përmes një njoftimi në rrjetin X. Sidoqoftë, kjo ministri nuk ka ofruar më shumë informacion në lidhje me Haqqanin, i cili ka shërbyer më parë si dërguar i talibanëve në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Badruddin Haqqani nuk është i lidhur me Sirajuddin Haqqani, ministrin e Punëve të Brendshme të Afganistanit, i cili u takua në qershor me udhëheqësin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Sirajuddin Haqqani është lider i rrjetit të fuqishëm Haqqani, një grup militant i aleatizuar me talibanët dhe i shpallur si organizatë terroriste globale nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë shpallur një shpërblim për kapjen e tij dhe e kanë sanksionuar për përfshirje në sulme vdekjeprurëse.
Pavarësisht izolimit të vazhdueshëm nga Perëndimi, talibanët kanë zhvilluar marrëdhënie dypalëshe me disa fuqi rajonale. Javën e kaluar, kryeministri i Uzbekistanit, Abdulla Aripov, vizitoi Afganistanin, duke shënuar vizitën e nivelit më të lartë nga një zyrtar i huaj që nga rikthimi i talibanëve në pushtet në vitin 2021.
Në një zhvillim tjetër të rëndësishëm, një ekspert i të drejtave të njeriut i emëruar nga OKB-ja ka kritikuar vendimin e talibanëve për t’i ndaluar hyrjen në Afganistan. Raportuesi i posaçëm, Richard Bennett, ka qenë i ashpër në kritikën e trajtimit të grave dhe vajzave nga talibanët./UBTNews/