Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur një lajm të rëndësishëm për sektorin e shëndetësisë në Kosovë, duke njoftuar për investime në vlerë totale 32.5 milionë euro nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Përmes një njoftimi nga Abu Dhabi, Hamiti ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga këshilltari Melhin Mahmuti, është pritur nga zëvendëssekretarja e Departamentit të Shëndetësisë në Abu Dhabi, Dr. Noura Al-Gauthi. Gjatë takimit, ai është informuar se, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, kanë nisur përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.
Po ashtu, gjatë këtij viti pritet të fillojë edhe procesi i rinovimit dhe pajisjes me teknologji moderne mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri, projekt ky që do të financohet me 7.5 milionë euro nga Departamenti i Shëndetësisë i Abu Dhabit.
