Reperi amerikan Eminem ka paditur një kompani australiane të veshjeve të quajtur Swim Shady, duke pretenduar se emri i saj është tepër i ngjashëm me pseudonimin e tij të mbrojtur si markë tregtare, Slim Shady.
Sipas BBC-së, në shtator Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshall B. Mathers III — dorëzoi një kërkesë zyrtare në Zyrën Amerikane të Patentave dhe Markave Tregtare, me të cilën kërkonte anulimin e një marke tregtare të miratuar për kompaninë australiane.
Ligji amerikan kërkon që kompania t’i përgjigjet kërkesës brenda javës së ardhshme.
Avokatët e reperit e akuzojnë markën me bazë në Sydney për përvetësimin e ngjashmërisë së emrit të tij të njohur. Nga ana tjetër, menaxhmenti i Swim Shady i tha BBC-së se do të “mbrojë pronën e tyre të vlefshme”.
Emri i kompanisë u regjistrua në Australi në shtator 2023 dhe fillimisht u lansua si Slim Shade. Zyrtarisht u prezantua në vitin 2024, dhe marka shet çadra, çanta si dhe pajisje të tjera plazhi. Më herët këtë vit, kompania aplikoi për të regjistruar markën Swim Shady në SHBA, kërkesë që u miratua fillimisht.
Pak pas kësaj, ekipi ligjor i Eminem paraqiti një mocion për anulimin e saj. Reperi ka depozituar gjithashtu një ankesë të ngjashme edhe ndaj regjistrimit të markës në Australi.
Dokumentet tregojnë se Eminem e regjistroi Slim Shady si markë tregtare në SHBA më 1999, me publikimin e albumit me të njëjtin titull. /A.Z/UBT News/
