Seriali i njohur i Netflix, “Emily in Paris”, do të marrë fund pas sezonit të gjashtë. Lajmi u bë i ditur nga platforma e transmetimit, e cila konfirmoi se sezoni i ardhshëm do të jetë edhe i fundit për komedi-dramën romantike me aktoren Lily Collins në rolin kryesor.
Krijuesi i serialit, Darren Star, falënderoi fansat për mbështetjen ndër vite, duke thënë se seriali u bë pjesë e jetës së tyre dhe frymëzoi dashurinë për Parisin dhe udhëtimet.
Edhe vetë Lily Collins reagoi përmes një videoje, ku tha se pas gjashtë vitesh të paharrueshme në rolin e Emily Cooper, aventura e personazhit të saj po i afrohet fundit. Netflix ka konfirmuar se xhirimet tashmë kanë nisur në Greqi, ndërsa skena do të realizohen edhe në Paris dhe Monaco. Ende nuk është bërë publik një datë zyrtare e publikimit.
“Emily in Paris”, që debutoi në vitin 2020, u kthye në një nga sukseset më të mëdha të Netflix, duke grumbulluar miliona shikime në mbarë botën. Seriali u bë gjithashtu pjesë e diskutimeve në rrjetet sociale, duke ndikuar edhe në trendet e modës.
Megjithatë, seriali është kritikuar nga disa qarqe për paraqitjen e idealizuar dhe stereotipike të Parisit, duke u cilësuar nga kritikët si një “version parku argëtues” i kryeqytetit francez.
