Pas shkarkimit të Ramadan Ahmetit nga pozita e Drejtorit të Termocentralit B, ka lëvizje të reja në Korporatën Energjetike të Kosovës. Sot është emëruar një tjetër ushtrues detyre në këtë institucion, Jonuz Saraqi.
Sipas mediave, U.D. i drejtorit Ekzekutiv të KEK-ut, Gramos Hashani, e ka caktuar Saraqin si Ushtrues Detyre të Drejtorit të Termocentralit Kosova B.
Saraqi ka shërbyer më herët si drejtor i Termocentralit “Kosova A”. Në vitin 2024, ai ishte shkarkuar nga ish-drejtori i KEK-ut, Bekir Gerguri, për shkak të vlerësimit të dobët të performancës.
Pavarësisht kësaj, këtë vit, Hashani e ka rikthyer atë në pozitë të lartë duke e emëruar drejtor teknik në TCB, ndërsa sot ka vendosur që ai të marrë edhe drejtimin ekzekutiv të këtij termocentrali.
Kujtojmë se paraardhësi i Saraqit, Ramadan Ahmet, u shkarkua të premten nga pozita.
Derisa në Kosovë gjendja në sektorin e energjisë vazhdon të jetë kaotike, Hashani po përshpejton vendimet për emërime dhe shkarkime brenda KEK-ut.
Së fundmi, vëllai i ish-deputetit Bylbyl Sokoli është emëruar U.D. i Drejtorit Operativ të Termocentraleve dhe Minierës.
Ajo që ka ngjallur më shumë reagime është fakti se Sokoli është kimist me profesion, gjë që e bën të pazakontë caktimin e tij në një pozitë kaq të ndjeshme dhe teknike në operimin e termocentraleve dhe minierave./S.K/KP/
