Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas emërimit të djalit të deputetit Haxhi Shala, Konsull i Përgjithshëm në Pragë.
Osmani në një shkrim në Facebook, deklaroi se ky emërim dhe emërimet e tjera që po publikohen këto ditë janë bërë nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e jo nga ajo.
“Përkundër kërkesës sime, deri tani as edhe një dokument i vetëm nuk më është sjellë për shqyrtim, sa i përket shërbimit diplomatik, nga ana e Qeverisë. Konsullata e Përgjithshme në Pragë dhe emërimi i Konsullit të Përgjithshëm aty, janë në kundërshtim me çdo praktikë diplomatike të vendeve demokratike. Nuk mund të hapen Konsullata të Përgjithshme në të njëjtin qytet ku kemi edhe Ambasadë. Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i vetëm”, shkroi ajo mes tjerash.
Osmani ka thënë se kjo është praktikë e mbrapshtë, dhe u zotua se këto dekrete do të shfuqizohen.
“Është praktikë e mbrapshtë, të cilën duhet ta kthejmë mbarë. Prandaj ato dekrete do të shfuqizohen”, shkroi ajo në Facebook./UBTNews