UBT News

EMA aprovon pilulën e kompanisë Pfizer

Pilula anti-COVID e kompanisë “Pfizer” është aprovuar nga Enti Evropian për Medikamentet (EMA).

Kjo pilulë do të përdoret për trajtimin e të rriturve që rrezikojnë seriozisht të preken nga virusi.

Miratimi nga EMA, që duhet të pasohet nga aprovimi nga Komisioni Evropian, u lejon shteteve anëtare të BE-së shpërndarjen e ilaçit, udhëzimet për përdorimin e të cilit në raste emergjence u dhanë vitin e kaluar.

Italia, Gjermania dhe Belgjika janë pjesë e një grupi vendesh të BE-së që e kanë blerë ilaçin, i etiketuar me emrin Paxlovid.

Medikamenti në fjalë, bashkë me atë Merck, shihen si opsione premtuese për trajtimin e personave të sëmurë me COVID dhe mund të merren që kur shfaqen simptomat, me qëllim parandalimin e shtrimit në spital dhe vdekjen.

Sipas të dhënave të nxjerra nga testet klinike të kompanisë “Pfizer”, Paxlovid ishte thuajse 90 për qind efikas në parandalimin e shtrimeve në spitale dhe vdekjeve tek pacientët me rrezik të lartë sëmundjeje.

Të dhënat laboratorike të nxjerra së fundmi kanë treguar gjithashtu se Paxlovid është efikas edhe ndaj variantit Omicron.

Exit mobile version