SpaceX do të aplikojë për një përjashtim nga sanksionet e ShBA-së kundër Iranit në një përpjekje për të ofruar shërbimin e saj të internetit satelitore në vend, tha të hënën pronari Elon Musk.
“Starlink do të aplikojë për një përjashtim nga sanksionet kundër Iranit”, tha Musk në përgjigje të një postimi në Twitter nga një reporter shkencor.
Musk fillimisht kishte njoftuar se shërbimi i internetit satelitor Starlink ishte vënë në dispozicion në çdo kontinent, përfshirë Antarktidën me kompaninë që planifikonte të lëshonte deri në 42 mijë satelitë për të rritur lidhjen.
Gazetari shkencor me origjinë iraniane, Erfan Kasraie, kishte thënë në Twitter se sjellja e shërbimit në Iran mund të ishte një “ndryshues i vërtetë i lojës për të ardhmen” e vendit, gjë që shkaktoi përgjigjen e Musk.
I lançuar në fund të vitit 2020, Starlink ofron shërbim me brez të gjerë me shpejtësi të lartë për klientët në zonat e shërbyera dobët nga rrjetet tokësore fikse dhe celulare përmes një plejade satelitësh në orbitën e ulët të tokës.
Shërbimi u bë i njohur pasi furnizoi me antena dhe modem ushtrinë ukrainase për të përmirësuar aftësitë e saj të komunikimit në luftën e saj me Rusinë.
Starlink fitohet përmes blerjes së antenave, modemeve dhe abonimeve me tarifa që ndryshojnë sipas vendit.
Gati tre mijë satelitë Starlink janë vendosur që nga viti 2019 dhe SpaceX po kryen rreth një lëshim në javë, duke përdorur raketat e veta Falcon 9 për të përshpejtuar vendosjen e tij.
Irani ka qenë nën një regjim të ashpër të sanksioneve të ShBA-së që kur ish-presidenti Donald Trump përfundoi një marrëveshje të vitit 2015 mbi aktivitetet e tij bërthamore.
Ndërsa presidenti aktual Joe Biden mbështet një rinegocim të marrëveshjes, këmbëngulja iraniane për garancitë afatgjata nga Uashingtoni i ka ngecur diskutimet.
Raunde të reja sanksionesh u vendosën ndaj Iranit këtë muaj pasi një kompani me bazë në Teheran ndihmoi dërgimin e dronëve në Rusi dhe në përgjigje të një sulmi masiv kibernetik që synonte Shqipërinë në korrik të kryer nga ministria e inteligjencës e Iranit. /UBTNews/