Harrojeni pasurinë e tij, shkruan Ronan Farrow në The New Yorker. Eshtë pushteti i pakufi që Elon Musk ka sot, që duhet të na trondisë. Kompania e raketave në pronësi të miliarderit, SpaceX është aktualisht i vetmi mjet me të cilin NASA mund të çojë astronautë në hapësirë, nga SHBA.
Një tjetër sipërmarrje e tij, Tesla, kontrollon rrjetin më të madh kombëtar të stacioneve të karikimit të makinave elektrike. Ndërkohë, shërbimi i tij i internetit satelitor, Starlink, është mjeti kryesor i komunikimit në fushëbetejën e Ukrainës. Zyrtarëve të Pentagonit iu desh t’i luten Elon Musk-ut vjeshtën e kaluar, pasi disa njësi ukrainase humbën aksesin në atë sistem.
Musk kishte kërkuar më herët që SHBA të paguante për shërbimin me ulje çmimi që ai po i jepte Ukrainës, dhe kishte filluar të shtynte për një plan paqeje prorus, me sa duket i ëndërruar pas bisedimeve kokë më kokë me Vladimir Putinin.
Tashmë SHBA ka firmosur një marrëveshje për Starlink, por zyrtarët e Pentagonit mbeten të sikletosur dhe të shqetësuar nga varësia e krijuar prej Elon Musk. “Jemi në dorë të humorit të tij, dhe kjo ta shpif”, tha një prej tyre.
Sjellja me ulje-ngritje e Musk e bën pushtetin e tij edhe më alarmues, shkruante Peter Csathy në The Wrap. Shikoni përpjekjet e tij dështake për të ribërë X, që më parë njihej si Twitter. Që kur e bleu platformën vitin e kaluar, ai është armiqësuar me kompanitë e reklamave dhe përdoruesit, duke lejuar lulëzimin e gjuhës së urrejtjes si dhe duke dëbuar pjesëtarë të stafit që mirëmbanin infrastrukturën kritike.
Për momentin, Uashingtoni nuk ka ku përplaset tjetër, shkruante Tim Fernholz në The Quartz. Ka shpenzuar miliarda në përpjekje për të ndërtuar Boieing dhe Blue Origin si alternativa private ndaj SpaceX, por ato nuk kanë dhënë produkt.
Kompanitë e Musk ofrojnë vlerë për NASA dhe Pentagonin, dhe ai nga ana e tij, mbështetet tek financimet shtetërore.
Ishte një goditje fati e pabesueshme për Elon Musk, që nevojat e Ukrainës u shfaqën pikërisht atëherë kur Starlink ishte në kërkim të dëshpëruar për tregje. Por kjo ndërvarësi nuk është e shëndetshme. Duhet të ndreqet, shkruante The Washington Post.
Gjasat janë që Ukraina të mos jetë aleati i fundit i SHBA që ka nevojë për internetin e shpejtë satelitor që ofron Starlink. Nëse Pekini do të shkëpuste kabllot nënujore të Taivanit, a do të mund të vareshin nga Musk, kur e dinë që “Tesla është e varur prej aftësisë së saj për të prodhuar makina në Kinë?”
Fatmirësisht, Pentagoni ka lançuar një skemë 1.5 miliardë dollarëshe për të lëshuar 72 satelitë të vegjël në orbitën e ulët. Nuk është një numër i madh, Musk ka 4500. Por duhet të mjaftojë për të siguruar që “Starlink nuk është i vetmi opsion që ka bota”. Nuk duhet kurrë më që një njeri i vetëm të ketë kaq shumë kontroll. / bota.al