Miliarderi Elon Musk tha se nëse marrëveshja për ta blerë rrjetin social Twitter realizohet me sukses, ai mund ta heqë ndalesën e Twitter-it ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Njeriu më i pasur në botë arriti marrëveshje 44 miliardë dollarëshe me bordin e Twitter-it, muajin e kaluar. Por siç u shpreh ai, marrëveshja s’është finalizuar ende dhe se do të kompletohet brenda dy ose tre muajsh.
Sipas tij, vendimi i rrjetit social Twitter për ta ndaluar ish-presidentin amerikan ishte “moralisht e gabueshme”.
Në janar të vitit 2021, Twitter tha se llogaria e Trump-it u “pezullua përkohësisht… për shkak të rrezikut për nxitje të mëtejshme të dhunës” pas situatës në Capitol. Por pronari i kompanisë Tesla tha: “Do ta heqja ndalesën, por unë nuk e kam nën pronësi platformën Twitter ende, kështu që kjo s’është definitive”.
Musk tha se ndalesa nuk ndikoi që Trump të heshte, por e zhvendosi atë në krijimin e platformës Truth Social. Ai theksoi qëndrimin e Trump-it se nuk do të kthehet në Twitter edhe nëse ia heqin ndalesën./UBTNews/