Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk mohoi të ketë folur me presidentin rus, Vladimir Putin, javët e fundit për luftën në Ukrainë dhe një “plan paqeje” të propozuar për t’i dhënë fund konfliktit.
Duke folur për CNN të martën, shkencëtari politik amerikan, Ian Bremmer, president i firmës së konsulencës politike Eurasia Group, pretendoi se Musk i tha atij drejtpërdrejt për bisedën që kishte me Putinin muajin e kaluar.
Megjithatë, në një postim në Twitter të martën mbrëma, Musk tha se nuk ka folur me Putinin për më shumë se një vit.
“Kam folur me Putinin vetëm një herë dhe kjo ishte rreth 18 muaj më parë”, shkroi Musk në Twitter. “Tema ishte hapësira”.
Bremmer fillimisht refuzoi të komentonte bisedën që kishte me Musk-un, por më vonë përsëriti deklaratën e tij në Twitter.
“Elon Musk më tha se kishte folur me Putinin dhe Kremlinin drejtpërdrejt për Ukrainën. Ai gjithashtu më tha se cilat ishin linjat e kuqe të Kremlinit”, shkroi Bremmer.
Më pas Musk shkroi në Twitter se “askush nuk duhet t’i besojë Bremmerit”./UBTNews/